Pacolli: Një ditë do tregoj me fakte se kush është Daçiqi

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli thotë se lobimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO u bë me dashuri të madhe për atdheun.

Lajme

11/11/2015 21:08

Në një shkrim të postuar në Facebook, Pacolli ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili pati deklaruar se Pacolli ka shkuar në Paris për të blerë me para shtete të ndryshme që të votojnë pro Kosovës në UNESCO.

Por, Pacolli thotë se do vijë një ditë që ai të flas për Daçiqin dhe të tregoj me fakte se kush është në të vërtetë ai, raporton lajmi.net.

Më poshtë lexoni të plotë reagimin e Behgjet Pacollit:

Në Unesco, Serbia, me krejt potencialin e vet, nuk arriti të bindte as 28% të bashkësisë ndërkombëtare; dhe atë, falë presionit Rus. Ne arritëm të kemi 2/3 e botës.

U garantoj se po të votonin edhe SHBA dhe shtetet që kishin humbur të drejtën e votimit, Republika e Kosovës sot do të ishte pjesë e UNESCO-s. Shumë shtete mike nuk kishin paguar anëtarësimin e tyre vite me radhë dhe kishin humbur të drejtën e votës. Kishte edhe shtete qe nuk merrnin pjesë fare në Konferencë, për një apo tjetër arsye, shtete këto që me siguri shumica do ta votonin Kosovën. Abstenimi i disa shteteve të Azisë Qendrore dhe vota në favor tonin prej disa shteteve afrikane që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ishte një lëvizje pozitive e cila duhet të shfrytëzohet menjëherë me lobim për njohje.

I përgëzoj bashkatdhetarët e mi që punuan pa lodhje deri në momentin e fundit, punë që u karakterizua nga dashuria e madhe për atdheun, nga korrektësia, urtësia, dinjiteti dhe miqësia me shtetet e botës. Zyra e improvizuar e Kosovës ishte përplot me ambasadorë e përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Edhe unë isha aty dy ditët e fundit.

Nga ana tjetër, vërejtëm delegacionin serb që ishte shume nervoz, e pengonte shumë puna jonë ekipore, e pengonte prezenca dhe takimet e mia. Këtë nuk e la as Z. Daçiq pa e përmendur publikisht, madje më ofendoi! Unë nuk po i përgjigjem atij pse unë qëndroja në UNESCO, por për ofendimin që më bëri, një ditë me siguri do t’i përgjigjem atij se kush është Daçiqi e çka përfaqëson ai, me fakte e jo me hamendje nga urrejtja, siç e bëri ai.