Pacolli: Nga kjo që ndodhi sot, askush nuk duhet të jetë krenar

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli thotë se nga gjithë çka ndodhi sot, brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, sot askush nuk duhet të jetë krenar.

Lajme

26/02/2016 23:40

“Duhej të luftohej për të gjetur zgjidhje, siç e theksuan edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.

Sot jam më i bindur se kurrë se ideja e zgjedhjes së Presidentit nga populli, ashtu siç e kishte kërkuar udhëheqësi ynë Rugova, dhe ashtu siç unë pandërprerë insistova, do të na shmangte gjithë këto turpe që ndodhën. Presidenti i zgjedhur do të ishte legjitim dhe askush nuk do të kishte asnjë pretendim. Do t’i bënte më shumë nder institucionit dhe vet Presidentit”, shkruan Pacolli në Facebook.

Sipas tij, të gjithe ata që e bllokuan këtë iniciativë duhet të kërkojnë falje. Madje thotë se dhe Opozita duhet të kërkojë falje që nuk e mbështeti këtë ide.

“Vendit sot i mungojnë ekuilibrat politikë, institucionalë, shoqërorë. Zgjedhja Presidentit nga populli do të ishte rruga e duhur për të rivendosur të gjithë ata ekuilibra.

Dihet çfarë ndodh në një shtëpi, në një shtet, në një anije, kur prishen ekuilibrat”, tha ai ndër tjerash./lajmi.net.