Pacolli në Vlorë, do të nderohet me titullin “Doctor Honoris causa”

Me rastin e festës kombëtare të shqiptarëve, sot më datën 28 nëntor, zëvendës-kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Kosovës, Behgjet Pacolli, do të jetë në Vlorë për të marrë pjesë në aktivitetet shtetërore dhe mbarëshqiptare të organizuara atje, me ftesë të autoriteteve të vendit.

Lajme

28/11/2018 09:31

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga MPJ, raporton lajmi.net.

Po në këtë ditë, Pacolli, do të nderohet, gjithashtu me titullin akadamik, “Doctor Honoris causa” nga Universiteti “Ismail Qemali”, i Vlorës në një ceremoni, që do të zhvillohet në mesditë dhe me praninë e autoriteteve më të larta shtetërore, akademike të Shqipërisë dhe të rajonit të Vlorës.

Titulli i jepet si vlerësim i kontributit të tij me propozime dhe veprime në favor të forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërshqiptar, kontribut që nxit mendimin shkencor kombëtar në këtë drejtim.

Universiteti i Vlorës, me katër fakultete dhe mbi 10 mijë studentë, i ka fillesat e veta në Shkollën Normale të saj, krijuar në 1919.

“Gjatë qëndrimit në Vlorë, numri dy i Qeverisë do të vendosë lule në varrin e themeluesit të shtetit shqiptar Ismail Qemali dhe do të nderojë flamurin kombëtar së bashku me krerët më të lartë të shtetit dhe autoritet vendore në ceremoninë e posaçme të 28 nëntorit”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/