Pacolli në shtator fillon termocentralin Kosova e Re!

Ditën e parafundit të fushatës zgjedhore, presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, nga Obiliqi u premtoi kosovarëve se më nuk do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike.

Lajme

05/06/2014 18:56

Sipas tij, kjo do të mundësohet me realizimin e projekteve nga programi i AKR-së.

“Në shtator vendosim gurthemelin e termocentralit të ri dhe më nuk do të keni ndërprerje të energjisë elektrike, siç ka ndodh deri më tani edhe në qytetin e juaj që jeni më së afërmi me termocentralet”, tha ai, raporton KosovaPress.

Reduktimet e energjisë elektrike sipas Pacollit kanë penguar edhe investimet e huaja.

Kandidati për deputet dhe ministër në largim, Fadil Ismajli tha se me tri ministritë që ka udhëhequr AKR-ja në qeverisjen e fundit, ka treguar rezultate të mëdha, pasi me iniciativë të AKR-së janë krijuar dy zona të lira tregtare, është iniciuar ndërtimi e termocentralit Kosova e Re, rregulluar autostrada energjetike me Shqipërinë e mbi të gjitha kemi shpëtuar nga privatizimi Trepçën, e cila mbetet pasuri e shtetit.

Sipas tij, “kryetari i Mitrovicës premtoi se do të sjellë investitorë për të hapur fabrika dhe kjo ndodhi. Brenda tre muajve do hapen vende të reja pune”, shtoi Ismajli.

E kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri tha se investitorët e huaj vijnë në Kosovë vetëm nëse ndalet korrupsionin.

“Ne mezi arritëm t’i sigurojmë një hapësirë ku investitori do të vendos objektin e fabrikës së tij. Këto probleme nuk do të jenë më pas 8 qershorit. Siç e kemi largu korrupsionin prej Mitrovicës dhe Gjakovës, ashtu do ta largojmë edhe nga Kosova”, tha ai.