Pacolli me 457 mijë euro borxh ndaj ‘personit fizik’

Pacollët njihen në Kosovë si familje e pasur, ku prin zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Mirëpo është një anëtar i kësaj familjeje që s’e ka shkelur ende milionëshin, ndërsa pjesën më të madhe të pasurisë e ka krijuar me borxhe.

Lajme

30/11/2017 23:55

Deputeti i AKR-së, Islam Pacolli, në deklarimin e pasurisë ka treguar se posedon pasuri të paluajtshme në vlerë prej 745 mijë e 980 eurove.

Në pasuri të paluajtshme ai ka deklaruar një shtëpi me oborr me vlerë prej 65 mijë eurove.

Islam Pacolli posedon një lokal për afarizëm që e ka vlerësuar me 65 mijë euro, 6 toka bujqësore me vlerë prej 159 mijë eurove në total.

Ai ka deklaruar se posedon edhe 3 lokale tjera me vlerë prej 457 mijë e 240 eurove. Këto të fundit ai i ka blerë në vitin 2016.

Financimin e tyre e ka bërë falë një borxhi që e ka marrë nga një person privat.

Në deklarimin e pasurisë nuk është sqaruar nëse borxh janë marrë lokale që kanë këtë vlerë, apo janë marrë mjetet për blerjen e këtyre lokale.

E gjithë kjo pasuri e Islam Pacollit kap vlerën e 3/4 milionëshit.

Pacolli ka deklaruar se posedon edhe aksione në shoqëri komerciale. Ai ka deklaruar se posedon 100% të aksioneve të “Korniza Design” shpk e që kapitalin e saj e ka vlerësuar 15 mijë euro.

Deputeti Pacolli ka deklaruar se posedon edhe 100% të aksioneve në dy kompani tjera, por që nuk e ka deklaruar vlerën e tyre.

E në bankë, Pacolli ka deklaruar vetëm 62 euro para të gatshme./Kallxo.com