Pacolli: Kosova çdo herë ka ditur t’i kundërvihet me sukses propagandës serbe

Duke e parë që mediat serbe çdo ditë e më shumë po i nënshtrohen ndikimit të politikës serbe me propagandë ndaj Kosovës, ka reaguar shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli.

Lajme

14/10/2018 21:49

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj propagandës së vazhdueshme që mediat serbe po e bëjnë ndaj Kosovës, shkruan lajmi.net.

Pacolli përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook ka shkruar se, mediat serbe po iu nënshtrohen regjimit të presidentit serbe, Aleksandër Vuçiq dhe kreut të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq dhe kështu përmes propagandës ata po krijojnë lajme të rreme për Kosovën në rrugën e saj drejt afirmimit ndërkombëtar.

Sipas Pacollit, Vuçiq dhe Daçiq, janë dy njohës të mirë të politikës, mentalitetit dhe kulturës propaganduese dhe konspirative, por pavarësisht kësaj, ai thotë se, ka edhe mediume që nuk po i nënshtrohen kësaj politike propaganduese të tyre, shkruan lajmi.net.

Ai përmes këtij postimi ka thënë se, Kosova çdo herë ka pasur konsensus që t’i kundërvihet me sukses, fakte dhe drejtësi propagandës së Serbisë.

“Nuk është në kulturën tonë të shërbehemi me lajme të rreme, por duhet thënë që edhe kur nuk kanë ekzistuar mjetet e komunikimit masiv, ne kemi pasur konsensus që propagandës së Serbisë, t’i kundërvihemi me sukses, me fakte, me drejtësi”, ka shkruar ndër të tjera Pacolli.

Postimi i plotë i Pacollit pa ndërhyrje:

Për këdo që përcjellë me vëmendje zhvillimet në lidhje me obstruksionet të cilat Serbia i projekton kundër afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, është krejtësisht e qartë se kemi të bëjmë me një subordinim deri në nënshtrim të mediave në Beograd nga qeveria e Serbisë.

Mediat e subordinuara janë kthyer në zë propagandues të politikës destruktive, duke përhapur lajme të rreme, ‘fake news’. Regjimit, i cili ka shtypur çdo zë kritik në Beograd, madje edhe oponencën politike, nuk ka mundur t’i rezistoj pothuaj asnjë medium. Dhe duke qenë që për mediat serbe, realiteti i Kosovës nuk është mbuluar asnjëherë drejtë, edhe atyre mediave të cilat njohin realitetin, nuk u bëhet vonë t’i vihen në shërbim qeverisë së Serbisë, sepse me temën e Kosovës ato mund të mashtrojnë publikun pa rrezikuar të humbin kredibilitet.

Këto media kritikojnë Kosovën, SHBA-të, e hera herës edhe BE-në.

Vucici dhe Dacici janë dy njohësit më të mirë të politikës, mentalitetit dhe kulturës propaganduese dhe konspirative, dhe tashmë po punojnë me shumë zell, me përdorimin e lajmeve të rreme në Serbi. Ajo çfarë befason është se një pjesë e këtyre mediumeve dhe lajmeve të rreme, merren si burim në rajon, madje edhe Kosovë, pa u filtruar mirë.

Nuk është në kulturën tonë të shërbehemi me lajme të rreme, por duhet thënë që edhe kur nuk kanë ekzistuar mjetet e komunikimit masiv, ne kemi pasur konsensus që propagandës së Serbisë, t’i kundërvihemi me sukses, me fakte, me drejtësi. /Lajmi.net/