Pacolli kërkon nga Tirana e Prishtina ta kenë prioritet mirëqenien e shqiptarëve të Luginës

Sekretari organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli, ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë duke u persekutuar nga politika nacionaliste serbe.

Lajme

25/09/2017 14:43

Ai përmes një postimi në rrjetin social facebook ka thënë se çështja e Luginës së Preshevës nuk duhet të mbetet vetëm në takime e përfaqësuesve të Prishtinës dhe Trinës.

Ky është shkrimi i plotë i Pacollit:

Është e papranueshme që çështja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës të mbetet vetëm në takimet me dyer të mbyllura të përfaqësuesve politik në Prishtinë dhe Tiranë.

Drejtuesit e dyja qeverive duhet të kenë prioritet nacional mirëqenien e këtyre njerëzve.

Derisa serbët e Kosovës janë të diskriminuar skajshmërisht pozitivisht në Kosovë, edhe shqiptarëve në Luginë duhet t’i bëhet zgjidhje.

Ndryshe, aparatura nacionaliste e instaluar nga liderët e njëpasnjëshëm në Serbi, tash edhe nga vetë presidenti, Aleksandar Vuçiq, do të vazhdojë që përmes presioneve të ndryshme të spastrojë etnikisht territoret e banuara historikisht nga shqiptarët.

Heshtja e qeverisë aktuale i kontribuon politikave të Vuçiqit, dhe që vazhdon t’i lë pa identitet dhjetëra mijëra luginas të zhvendosur në Kosovë.

Rrjedhimisht ata nuk mund të shfrytëzojnë në këtë kohë as të drejtën për votuar në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Nëse nuk kemi një ndërhyrje urgjente ndaj kësaj situate ekziston rreziku i konflikteve të reja që mund të prodhohen nga të dyja palët.

Për të qenë denjësisht të përfaqësuar, dhe për të shmangur një konflikt të ri shqiptarët do të duhej të ishin palë vendim-marrëse edhe në nivelin ekzekutiv në Beogradin zyrtar dhe t’i krijohet hapësirë në Qeverinë e Ana Brnabiq në dikastere të ndryshme. Rr.P