Pacolli: Janë për keqardhje sjelljet destruktive të Bosnjës dhe Serbisë, BE-ja të reagojë menjëherë

Për mos ftesën që Kosova të marrë pjesë në Samitin e Banjalukës në Bosnjë, ka reaguar, kreu i diplomacisë kosovare, Behxhet Pacolli.

Lajme

23/02/2018 19:04

“Bosnja dhe Serbia duhet përfundimisht ta kuptojnë se nuk do te ketë bashkëpunim rajonal dhe fqinjësor pa prezencën dhe pjesëmarrjen e plotë, të barabartë dhe pa kushte të Republikës së Kosovës në të gjitha Nismat dhe Organizatat Rajonale dhe Evropiane. Përpjekjet e ulëta diplomatike për të ndryshuar rrjedhën e këtij realiteti dhe sjelljet destruktive të Bosnjës dhe Serbisë janë kundër zotimeve, që këto shtete kanë marrë karshi Bashkimit Evropian, vlerave evropiane si dhe frymës për një bashkëpunim rajonal konstruktiv”. Kështu ka thënë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pas tendencave, që Kosova mos të ftohet për të marrë pjesë në Samitin e Banjalukës në Bosnjë.

“I bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, që të reagojnë ndaj përpjekjeve dhe veprimeve të tilla aspak racionale, qëllimkëqija, që minojnë të arriturat e deritanishme dhe janë kundër vlerave dhe parimeve të BE-së”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.

Nëpërmjet të së njëjtës deklaratë, kreu i diplomacisë kosovare i ka mirëpritur dhe vlerësuar si plotësisht të arsyeshme dhe të drejta reagimet e dy shteteve fqinje, respektivisht Shqipërisë dhe Maqedonisë për të mos marrë pjesë në këtë Samit për shkak të mos dërgimit të ftesës ndaj Kosovës. /Lajmi.net/