Pacolli: FIFA të reagojë për abuzimin që Rusia bëri me flamurin e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet pacolli ka reaguar ndaj ndalesës që iu bë flamurit të Kosovës në stadiumet e Rusisë. Këta të fundit, e kishin krahasuar flamurin e Kosovës me atë të grupit terrorist ISIS.

Lajme

16/07/2018 15:17

Ministri Pacolli përmes një shkrimi në Twitter ka sqaruar se Kosova është pjesë e Federatës së FIFA-s dhe kërkon nga këta të fundit që të reagojnë ndaj ndalesës që Rusia ia bëri Kosovës.

Pacolli ka thënë se politika duhet të qëndrojë jashtë sportit.

“I indinjuar nga veprimet e Rusisë për të ndaluar përdorimin e flamurit të Kosovës gjatë Kampionatit për Kupën e Botës. Kosova është anëtare e FIFA’s dhe i bëj thirrje që të reagojnë ndaj abuzimit që Rusia i ka bërë anëtares së FIFA’s. Politika duhet të qëndrojë jashtë sportit!”, ka thënë Pacolli.

Pas ndalimit që iu bë flamurit të Kosovës në stadiumet ruse, edhe koordinatori për kulturë, rini dhe sport, Rexhep Hoti, ka reaguar ashpër ndaj kësaj ndalese nga autoritetet ruse.

Hoti ka thënë se edhe më shqetësuese është se flamuri i Republikës sonë është renditur në të njëjtën listë me flamujt e organizatave terroriste.

Ai ka thënë se kjo ndalesë është kryekëput politike dhe e papranueshme për botën e sportit kudo në botë. Madje, e ka dënuar fuqishëm aktin e ndërhyrjes së politikës në sport.