Pacolli e nis me Trepçën

Behgjet Pacolli deklaroi para mbështetësve të tij në Mitrovicë se AKR ka punuar në të mirë të Kosovës, qoftë në pozitë ose në opozitë. Atje foli edhe për Trepçën, ku deklaroi se askush në botë nuk ka para për ta blerë atë.

Lajme

03/10/2013 16:10

Partia e Behgjet Pacollit, Aleanca për Kosovën e Re, e ka hapur fushatën e saj zgjedhore në Mitrovicë, duke shënuar kështu nisjen zyrtare të kampanjes zgjedhore të kësaj partie.

Behgjet Pacolli deklaroi para mbështetësve të tij se AKR  ka punuar në të mirë të Kosovës, qoftë në pozitë ose në opozitë.

“Na jepni më shumë hapësirë dhe ne nuk do ju zhgënjejmë”.

“Ne nuk e kemi përdorur pushtetin, qeverinë për të punësuar njerëz për disa muaj, apo për ca vjet, që pastaj do t’i hiqte qeveria apo partia tjetër. Ne nuk i japim dikujt që na voton, peshq të gatshëm. Ne do t’i japim punë të vërtetë, mundësi për biznese vetanake që gjithsekush ta kapë vetë peshkun”.

Pacolli ka folur edhe për Trepçën, duke thënë se ky gjigand nuk guxon të privatizohet.

“Ne nuk erdhëm në politikë për të përfituar nga privatizimet, apo për t’i ndaluar ato. Ne kemi thënë të njëjtën gjë ashtu si bëmë për Trepçën”.

“Trepça nuk guxon të privatizohet. Nuk ka kush para në botë për ta blerë Trepçën. Trepça nëse administrohet nga një kompani me renome ndërkombëtare, mund të prodhojë mirëqenie për Mitrovicën, dhe për gjithë Kosovën”.

Duke folur për kandidatin e AKR’së për Kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, Pacolli u shpreh se ai është kandidat që do t’i bëntë nder çdo qytetari të Evropës.

“Agim Bahtiri është një kandidat që do t’i bënte nder çdo qyteti të Europës. Ai është në krye të një biznesi të madh ndërkombëtar, që është me sukses. Biznesi i tij i kalon kufijtë e një qyteti në botë, ndaj po ju them se Agimi po sakrifikon për Mitrovicën”.

E Bahtiri nga ana e tij ka thënë se emrin që ka krijuar në botën e biznesit do ta shfrytëzojë si shembull që bashkëatëdhetarët të kthehen në vendlindje dhe të punojnë për Kosovën.

“Hyra në politikë rastësisht, por për subjektin politik nuk kisha mëdyshje pasi e njoha Presidentin Pacolli së pari nga suksesi i tij në botën e biznesit, e më pas personalisht mes bisedash të ngrohta”.