Pacolli do që Qeveria t’i mbulojë sigurimet e bashkatdhetarëve

Kryesuesi i delegacionit teknik për bisedime për fushën e sigurimeve dhe Karton të Gjelbër, Rrahim Pacolli, i ka bërë thirrje Qeverisë së re që sapo të formohet, t’i marrë për obligim pagesat e sigurimeve për bashkatdhetarët.

Lajme

07/08/2017 23:08

Pacolli ka thënë se si pasojë e mos pajisjes së Kosovës me Kartonin e Gjelbër, bashkatdhetarët edhe këtë vit janë të obliguar ta paguajnë policën e sigurimit në kufij.

Ai u ka bërë thirrje Qeverisë së re që posa të formohet t’i marrë për obligim pagesat e sigurimeve për bashkatdhetarët.

“Unë mendoj që këtë vit janë më të kënaqur bashkatdhetarët, për arsye se në kufi kemi vendosur më shumë pika ku nuk kanë nevojë me prit shumë kur të vijnë ata, për t’u pajisur me policë të sigurimit për territorin e Kosovës. Janë duke pritur më pak edhe ne një vit më herët kemi bërë një zbritje 50 % edhe janë të kënaqur me tarifat, nuk ka ankesa këtë vit. Vetëm shqetësimi i Byrosë Nacionale të Kosovës është që nuk kemi ende mundësi me i pajisë me Karton të Gjelbër edhe Kosovën, për arsye se pa na njohur Kombet e Bashkuara dhe 120 shtete është pak e vështirë të bëhet kjo gjë, për arsye se nuk po pajtohen gjitha shtete, siç është Spanja, Rusia e shumë shtete që nuk na kanë njohur”, ka thënë ai, për Televizionin Publik.

Sipas Pacollit, zgjidhja më e mirë për bashkatdhetarët do të ishte që Qeveria e ardhshme ta marrë përsipër pagesën e sigurimeve për bashkatdhetarë.

Ndërsa sa i përket zbatimit të marrëveshjes me Serbinë për lëvizje të lirë, Pacolli, thotë se nuk është i kënaqur pasi pala serbe vazhdon të mos i njohë tabelat e Kosovës.

Ai tha se ka kërkuar nga Qeveria që të ngrijë këtë marrëveshje, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sipas tij, këtë vit ka fluks shumë të madh nga mërgata me rreth 5% më shumë sesa vitin e kaluar.