Pacolli dërgon kërkesën në BQK, për ulje të tarifës së policës kufitare (Dokument)

Kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimit, Rrahim Pacolli, i ka dërguar Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kërkesën për shqyrtim dhe aprovim për uljen e tarifave të sigurimit kufitar në masën prej 50 për qind.

Lajme

15/06/2015 16:05

Redaksia e KosovaPress-it, ka arritur të sigurojë nga burime brenda BQK-së, dokumentin që iu është dorëzuar guvernatorit të BQK-së, Bedri Hamza.

Në këtë dokument thuhet:

“Në emër të kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme dhe në cilësinë e kryesuesit për bisedime teknike me Serbinë të emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, iu drejtohem me kërkesë për shqyrtim dhe aprovimin e uljes së tarifave të sigurimit kufitar në masë prej 50 për qind për automjetet me pasagjerë. Për 30 ditë qëndrimi tarifat për pagesë të sigurimit kufitar të jetë 20 euro, ndërsa për 15 ditë qëndrimi tarifa për pagesë të sigurimit kufitar të jetë 15 euro”, thuhet në kërkesën e nënshkruar nga Rrahim Pacolli drejtuar , guvernatorit të BQK-së.

Në këtë kërkesë po ashtu thuhet se pasi që BQK është rregullator dhe mbikëqyrës i Industrisë së Sigurimeve, kërkohet që të aprovohet nga BQK-ja.

Kjo kërkesë është bërë pas premtimeve dhe iniciative të kryeparlamentarit, përfaqësuesve të qeverisë me qëllim që bashkatdhetarët këtë vit të mund të paguajnë policën kufitare me tarifa për 50 për qind më lirë.

Kjo kërkesë nuk kishte hasur në mirëkuptim në një mbledhje të mbajtur javën e kaluar nga këshilli i byrosë kosovare të sigurimeve ku një pjesë e anëtarëve kishin qenë kundër zbritjes së tarifave. Tani mbetet të shihet nëse BQK e merr për bazë kërkesën e kryesuesit të asamblesë së Përgjithshme , Rrahim Pacollit.

Dokumenti