Pacientët në Kosovë nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre

Shumë pacientë kosovarë nuk i dinë të drejtat e tyre. Kjo bazohet në rezultatet e një hulumtimi të bërë nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve e Kosovës, që tregon se mbi 55 për qind e të anketuarve nuk kanë njohuri për të drejtat që i kanë.

Lajme

23/04/2016 18:53

Ndonëse institutcionet publike shëndetësore janë të obliguara me Ligjin për Shëndetësi që t’i vendosin në hapësira spitalore kartat e të drejtave të pacientëve, këta të fundit duket se as që i kanë vërejtur këto informacione ndonjëherë.

Miranda Tafilaj , 30 vjeçare, thotë të mos ketë njohuri për të drejtat e saj si paciente, duke shtuar se cilësia e shërbimeve shëndetësore nuk është në nivelin e duhur.

“Të drejtat e pacientëve nuk respektohen aspak. Unë nuk e di as që ekziston diçka që i përcakton të drejtat e pacientëve. Por, duke marrë parasysh trajtimin që na bëhet, p.sh. në QKUK, trajtimi i pacinetëve është i tmerrshëm. Edhe pse spo e di me faj apo pa fajin e tyre, duke marrë parasysh fluskin e pacientëve që e frekuentojnë QKUK-në, por, sidoqoftë trajtimi është jo i mirë”, ka thënë Tafilaj.

Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, e cila është themeluar në vitin 2013, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndonëse institucionet shëndetësore marrin shumë ankesa nga pacientët, ato shumë pak shqyrtohen. Ai thekson faktin se pavarësisht ankesave, pothuaje kurrë nuk sanksionohet stafi shëndetësor, ndaj të cilëve adresohen ankesat.

“Që nga themelimi i shoqatës ka filluar të diskutohet e drejta e pacientit. Është një trend pozitiv, por, derisa nuk e kemi pacientin në qendër të sistemit shëndetësor,e drejta e pacientit ende mbetet shumë larg”.

“Mungojnë shumë gjëra, si lista e barnave esenciale, siguria në shërbime shëndetësore, mos informimi i duhur, e që e prekin direkt të drejtën e pacientit. Nga një hulumtim që kemi bërë, 55 për qind e popullatës nuk e dinë që kanë të drejta dhe kjo flet mjaft”, thotë Kodra.

Drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se, vetëm nga linja falas për ankesa që ka ky institucion, kanë pranuar 116 ankesa, derisa shton se 86 prej tyre tashmë janë shqyrtuar.

“Duke u bazuar në linjën ndihmëse, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar 116 ankesa të ndryshme nga qytetarët. Prej tyre 86 janë adresuar , derisa të tjera që kanë qenë më të ndërlikuara në situatë , u janë drejtuar inspektoratit shëndetësor, duke siguruar adresimin në instanca më të larta”.

“Nëse e përmendim natyrën e ankesave, ato lidhen me mungesën e mjekut në venin e punës, sjellje jo të mira të stafit mjekësor, mungesën e barnave.Përveç linjës falas që ka MSH, ka edhe mekanizma tjerë,si Këshilli Etiko- profesional, që janë të ngritura në nivel të institucioneve. Në rast se qytetarët nuk marrin përgjigje nga këto, atëherë lëndët procedohen në gjykatë”, ka shpjeguar Hoti.

Sidoqoftë, edhe zyrtarë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pacientët nuk janë të informuar sa duhet për të drejtat e tyre.