Pacientët ankohen se në Klinikën e Nefrologjisë në Prishtinë u jepet insulinë pa afat /FOTO

“Tmerri ish atje edhe në ëndërr më paraqitet mos kujdesi i doktoreshave të papërgjegjshme ndaj pacienteve.”

Lajme

11/08/2018 19:25

Mostrajtimi i duhur dhe neglizhenca e disa mjekëve dhe infermierëve duket se ende është e pranishme në disa klinika të Kosovës, megjithë masat që ka ndërmarr dhe po ndërmerr ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Një lexuese e lajmi.net, sot, e shtunë, ka kontaktuar në redaksinë tonë, e cila është shprehur e tmerruar kur ka parë që pacientëve në Klinikën e Nefrologjisë, thënë ndryshe në klinikën e sëmundjeve të brendshme, u janë dhënë insulina pa afat.

“Jam tmerru, jam anku çdo ditë për neglizhencën dhe keqtrajtimin ndaj pacientëve, por kur e kam parë që insulinat u janë dhënë të sëmurëve pa afat, ai ka qenë skandal”, shprehet e mllefosur D.K për lajmi.net.

Ajo ka bërë edhe foto ku thotë se insulina ishin të dala afati prej tre muajve, por askush nuk i ka kontrolluar, derisa ka alarmuar për rastin.

Atje ishte tmerr, vazhdon me këtë fjalë disa herë rrëfimin ajo, duke treguar se ishte me nënën e saj për të cilën është dashur të kujdesej vet kur edhe ka kaluar këtë ferr, e cila më pas kishte ndërruar jetë.

“Aty as kafshët nuk mbahen, një dhomë e madhe pa ajër, e papastër, e përgjegjëses së dhomës doktoreshës V.G. (emër i njohur për redaksinë), nuk i interesonte për pacientët as që vinte në vizitë. Tmerri ish atje edhe në ëndërr më paraqitet mos kujdesi i doktoreshave të papërgjegjshme ndaj pacienteve”, vazhdonte D.K duke u ankuar për gjendjen nëpër të cilën ka kaluar ajo dhe tashmë e ndjera nëna e saj, por edhe pacientët e tjerë që vazhdojnë të trajtohen në klinikën e Nefrologjisë.

D.K. thotë se ka humbur besimin të mjekësia kosovare dhe kërkon të merren masa të rrepta për të ndryshuar kjo gjendje, pasi sipas saj “atje askush nuk shkon për qejf”.

Lajmi.net ka provuar disa herë të bie në kontakt me këtë klinikë për të vërtetuar atë që ka thënë kjo zonjë, mirëpo kontakti dhe qasja kanë qenë të pamundur gjatë gjithë ditës. Po ashtu edhe kontakti me mjekën e lartë përmendur ka qenë i pamundur.

Lajmi.net do të vazhdojnë në ditët në vijim ta trajtojë këtë rast ku do të sjellë detaje të reja.

Ismaili: Masa disiplinore për rreth 200 mjekë, infermierë dhe staf të administratës në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar pardje për masa të tjera shtesë që janë marrë ndaj personelit mjekësorë dhe stafit të administratës në QKUK, të cilët nuk e kanë respektuar orarin e punës. Bëhet fjalë për rreth 200 personel dhe staf të administratës, të cilët kanë keqpërdorur kartelat hyrëse në punë.

Ministri  Ismaili ka thënë se janë zhgënjyese ndonjëherë lajmet që vijnë nga spitalet tona, edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël, ku profesionistët shëndetësorë nuk e respektojnë orarin e tyre të punës.

Lexoni postimin e tij të plotë:

Një nga prioritetet e mia kur kam marrë detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, përveç blerjes së pajisjeve të reja mjekësore dhe rinovimit të spitaleve e klinikave, ka qenë kthimi i dinjitetit të personelit mjekësor.

Rritjen e pagave për kujdestari tashmë e kemi realizuar, ndërsa po punojmë intensivisht që t’i arrijmë rezultatet më të mira të mundshme që në Ligjin për Paga – profesionistëve tanë shëndetësorë t’u sigurojmë paga meritore.

Ky mision që kemi nisur është për të gjithë, për qytetarët dhe stafin mjekësor. Prandaj, kemi nevojë edhe për bashkëpunimin e tyre.

Janë zhgënjyese ndonjëherë lajmet që vijnë nga spitalet tona, edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël, ku profesionistët shëndetësorë nuk e respektojnë orarin e tyre të punës.

Së fundi, në QKUK, kanë ndodhur keqpërdorime të tjera të kartelave personale për verifikimin në punë. Rreth 200 mjekë, infermierë dhe staf i administratës, i kanë keqpërdorur ato. Të gjithë do të sanksionohen sipas procedurave ligjore në fuqi.

Kemi nisur me QKUK-në dhe do të vazhdojmë me të gjitha institucionet tjera publike shëndetësore për rritjen e disiplinës në punë. Nuk do të ndalemi në misionin për përmirësimin e sektorit shëndetësor. Bashkë mund ta bëjmë këtë. /Lajmi.net/