“Pa u krijuar Asociacioni, plani i Thaçit nuk merret në konsideratë”

Beogradi nuk do të marrë në konsideratë çfarëdo plani që ofrohet nga presidenti, Hashim Thaçi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pa përmbushur detyrën e themelimit të Asociacionit, shkruan ‘Novosti’, duke iu referuar burimeve shtetërore.

Lajme

18/08/2018 10:12

Sipas gazetës, Thaçi do të paraqesë një plan për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq kur të takohen në Bruksel gjatë muajit shtator në një raund të ri të dialogut të nivelit të lartë, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për ‘Reuters’, Thaçi ka thënë se është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë.

“Definitivisht tani është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, i cili është rreth 400 kilometra. Kjo do të ndihmojë për të shmangur problemet ndër-etnike, për të krijuar një lloj të rajoneve autonome, për të shmangur ndarjen e Kosovës madje edhe një luftë të re”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, marrëveshja mund të arrihet në shkurt të vitit 2019.

Mirëpo gazeta thekson, se plani i Thaçit nuk do të funksionojë pa formuar Asociacionin e komunave serbe./Lajmi.net/