Pa politikë dhe për pushtet

Te ne, në skenën politike të vendit, politika e mirëfilltë, ajo që ofron zgjidhje për probleme, nuk përcakton rezultatin e zgjedhjeve, sepse ajo as që ekziston në Kosovë.

Lajme

28/09/2017 09:51

 
Është një shpërputhje e madhe, e cila me gjasë, më mirë se gjithçka tjetër shfaqë distancën, në mënyrën se si përceptohet dhe shpjegohet realiteti, në mes të politikanëve që janë pretendentë për ta fituar pushtetin në nivelin lokal  (komunal), dhe qytetarëve të rëndomtë të Kosovës. Dhe këtu është thelbi i problemit, i cili pastaj ndikon që politika si e tillë, të mos jetë vendimtare për mënyrën se si votuesit kosovarë përcaktohen në zgjedhje. Kështu zatën ishte edhe në zgjedhjet e kaluara nacionale të qershorit, kështu duket që do të jetë edhe në këto votimet që na presin në tetor.
Pra, qytetarët e këtij vendi, kanë krijuar bindjen që gjërat në Kosovë, në nivelin qëndror dhe në atë komunal, ndryshojnë shumë vështirë, për të mirë, sepse ata që janë ‘agjentë të ndryshimit’  (politikanët), nuk kanë shumë vullnet dhe dije për ta bërë këtë gjë.
Anasjelltas, ata që i kanë hyrë garat për pozitën e Kryetarit të komunës rreth e rrotull Kosovës, bazuar në fushatën parazgjedhore që po zhvillohet këto ditë, po ofrojnë në këmbim për votën e qytetarëve një ndryshim marramendës të realitetit në komunat ku këta qytetarë jetojnë.
Madje, kjo ofertë po bëhet me këmbëngulje edhe prej kryetarëve në detyrë të komunave, që janë në pushtet në 4-10 vitet e kaluara në qytetet dhe komunat në të cilat këta garojnë. Në rrethana të një demokracie të stabilizuar në Kosovë  (këto rrethana nuk janë arritur ende), ata që i kanë prirë qeverisjes lokale, do të duhej të kërkonin një tjetër mandat të pushtetit, në bazë të punëve që kanë bërë deri më tash, fare pak duke u thirrë në projektet që do të sendërtohen tash e tutje.
Natyrisht, politikanët tonë e dijnë fare mirë që pritjet e qytetarëve të Kosovës janë të mëdha, ndërsa mospërmbushja e tyre, qoftë edhe përmes premtimeve që nuk kanë të bëjnë gjë me realitetin, sjell thellimin e dëshpërimit të këtyre qytetarëve. Por ja që ky hendek që ndanë pritjet nga realiteti i sotëm në Kosovë, nuk mund dot të kalohet me fushata parazgjedhore ku oferta ta çon mallin e atyre ‘All Inclusive’  (të pushimeve verore në Turqi apo gjetiu). Përkundrazi.
Politika është me atë të moçmen  (e Bismarckut), ‘art i të mundshmes’, por me mënyrën se si ne i qasemi politikës dhe të mundshmes, ne devalvojmë në tërësi politikën objektive dhe mundësitë reale. Në vijim të kësaj qasjeje tonë, në fund të ditës, ka fare pak rëndësi çfarë thot dhe çka premton një politikan apo një subjekt politik, sepse për qytetarët e rëndomtë të këtij vendi, në këtë aspekt së paku, është të thuash e pamundur t’i veçosh ata, dhe në bazë të këtij dallimi të pastër politik, të krijohet një përshtypje stabile e cila pastaj do të përkthehet në një votë të qartë në zgjedhjet e 22 tetorit.
Politika pretendon pushtetin, dhe kjo është fare normale. Por te ne, në atmosferën që kemi krijuar, në skenën politike të vendit dhe në shoqëri, politika e mirëfilltë, në realitet, ajo që ofron zgjidhje të njëmendta për problemet objektive, nuk është përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve, sepse ajo të thuash nuk ekziston në Kosovë. Ne përballemi me një imitim të politikës, me një fabrikim të saj, më shumë, me një keqkuptim të saj apo edhe me manipulim të saj. Ne kemi reduktuar politikën në lojë, në mashtrim, në postim në rrjetet shoqërore, prandaj kemi krijuar situatën kur vota e qytetarit në masë të madhe është reflektim i përshtypjes së tij personale për dikë në komunën e tij, për familjen e tij, dhe gjithsesi, edhe për përfitimin personal që mund të jetë konsekuencë e fitores së një politikani në atë komunë.
Natyrisht, ata që nuk kanë më aspak besim që gjërat mund të ndryshojnë fare pak në komunën e tyre, ata as që do të marrin pjesë në këto zgjedhje, njëlloj siç edhe i injoruan votimet për pushtetin qendror. Zatën, në aspektin statistikor, siç dihet, kjo ‘partia politike’ e abstenuesve në votimet për pushtetin lokal dhe qendror është më e madhja në Kosovë, dhe ajo, sikur njëmend të ekzistonte dhe poqëse do të arrinte t’i tubonte të gjithë këta votues që kanë hequr dorë nga demokracia kosovare, do ta kishte shumicën asbolute të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe ta merrte pushtetin në të gjitha komunat të banuara me shumicën shqiptare.