Pa planifikimin e buxhetit, KEK-u s’mund të marr punëtorë të rinj

Ditë më parë Sindikata e Re e KEK-ut ka paralajmëruar krizë energjetike për shkak të mungesës së madhe të punëtorëve në KEK.

Lajme

30/10/2018 13:43

Për shkak të mungesës së punëtorëve, Sindikata e Re e KEK-ut po e vlerëson si shumë të rëndë dhe shqetësuese gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës. Kjo sindikatë ka bërë të ditur se ka mungesë të punëtorëve në të trija divizionet.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli e ka pohuar për lajmi.net se në vazhdimësi ka pasur nevojë për plotësimin e vendeve të punës dhe për rekrutimin e kuadrove të reja profesionale.

“Ne i kemi disa analiza qe janë bërë sa i përket numrit të punëtorëve të cilët janë para pensionimit dhe numrit të madh të punëtorëve që kanë shkuar në pension viteve të fundit. Mund të themi se është një sfidë për shkak të moshës së punëtorëve, por nuk guxojmë asnjëherë të veprojmë pa i bërë mirë planifikimet buxhetore”, ka deklaruar Bucolli.

Tutje, ai ka theksuar se strategjia e KEK-ut në vazhdimësi ka qenë dhe mbetet që të krijoj kuadro të reja, të mbështet punëtorët e saj dhe të punësoj staf aq sa është i domosdoshëm.

Mirëpo sipas tij, asnjëherë nuk do të veprohet në atë mënyrë që të ketë mbi punësime dhe të rrezikohet shtylla financiare e Korporatës.

Ndërsa sa i përket rezervave të thëngjillit për stinën e dimrit, Bucolli ka treguar se KEK ka arritur të krijojë rezerva të mjaftueshme.

Vlen të theksohet se Sindikata e Re e KEK-ut ka paralajmëruar protesta edhe greva nëse nuk hapen konkurse për pranimin e punëtorëve të rinj. /Lajmi.net/