Pa PDK-në nuk krijohen institucionet

Këshilltari i kryeministrit Hashim Thaçi, Adri Nurellari ka thënë se me takimet e fundit joformale në mes të Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt është krijuar një hap pozitiv që liderët të kenë mundësi të komunikojnë.

Lajme

21/10/2014 08:40

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Nurellari ka thënë se partitë e Bllokut e kanë kuptuar se pa PDK-në ata ë mund të krijojnë institucione, andaj sipas tij, tashmë janë ulur gjakrat dhe mllefi që “e kanë karakterizuar politikën e bllokut”.

“Është një hap i parë pozitiv që palët flasin dhe komunikojnë sepse ishte krijuar një situatë absurde, ku logjika e jonegociatave ka qenë totalisht e gabuar dhe e pamenduar mirë.

“Tani blloku e ka kuptuar qartë se zgjidhja mund të gjendet vetëm duke bashkëpunuar me PDK-në. Ata vazhdimisht pa PDK-në kanë dështuar t’i realizojnë objektivat e vet”.

“Ky komunikim  shënon hapin e parë pozitiv sepse janë ulur gjakrat dhe mllefi i cili e ka karakterizuar politikën e bllokut gjatë këtyre muajve. Tani ka një lloj vetëdijesimi se është dinjitoze dhe domosdoshme të komunikohet dhe bashkëpunohet”.

Nurellari ka thënë se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi preferon më shumë zgjidhjen e ngërçit sesa zgjedhjet e reja.

“Mendoj se Thaçi preferon një zgjidhje, sepse vonesa e shkaktuar deri tani padyshim se ka kosto për Kosovën dhe zgjedhjet e reja do ta zvarritin formimin e institucioneve më shumë sesa vendi ka nevojë ose leverdi”, ka thënë ai.