Pa marrëveshje s’ka votë nga VV

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se PDK ka uzurpuar vendet në Kuvendin e Kosovës, duke shpërfillur vendimin e Kryesisë së Kuvendit. Ai poashtu ka ritheksuar se VV nuk do i votojë propozimet e partive opozitare pa një marrëveshje të shkruar.

Lajme

17/07/2014 14:25

Gjatë pauzës së seancës konstituive, Visar Ymeri ka dhënë një deklaratë ku ka sqaruar qëndrimet e subjektit që ai përfaqëson në lidhje me ngjarjet e sotme, duke deklaruar se PDK ka “uzurpuar Kuvendin”.

“Sot në seancën konstitutive të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka ndodhur një uzurpim i institucioneve dhe ulëseve të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga PDK, në kundërshtim dhe me shpërfillje flagrante të vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të marr para pesë dite”.

“Ky uzurpim po vazhdon edhe tash nga kryesuesja e kësaj seance konstituive. Ky uzurpim po ndodhë nga një deputet që po refuzon ta udhëheq këtë seancë konstituive dhe në anën tjetër nuk po lejon që seanca të vazhdojë, duke u zëvendësuar ajo me një tjetër. Pra e kemi nja stagnim të institucioneve të Kosovës për shkak të grupit parlamentar të PDK-së”.

Ymeri gjithashtu ka thënë se subjekti i tij politik, nuk jep votë që Isa Mustafa të zgjidhet kryeparlamentar, pa u arritur marrëveshje e shkruar në mes tyre dhe tri partive opozitare.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka thënë që prej fillimit në takimet që i ke pasur me tri subjekte që ka arritë marrëveshje, por edhe publikisht që pa marrëveshje VV, nuk e jep votën”.

“Ne dje në mbrëmje jemi dakorduar për të gjitha pikat, por sot në mëngjes ka pas një refuzim për disa prej pikave nga të tjerët dhe në këtë drejtim nuk kemi arritur që ta nënshkruaj marrëveshjen. VV është e hapur për të vazhduar bisedimet”, tha Visar Ymeri.