“Pa marketing po dështojmë në Shqipëri”

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se për produktet kosovare nuk po bëhet sa duhet marketing në tregun e Shqipërisë, prandaj edhe po dështojnë.

Lajme

29/11/2015 09:14

Sipas tij, konsumatorët atje janë mësuar me produkte italiane dhe greke, prandaj është vështirë që të futen në treg prodhimet kosovare.

Gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i rrisë subvencionet për bujqësinë, në mënyrë që të rritet prodhimi vendor.

“Nëse flasim për tregun Kosovë – Shqipëri, dua të flas në emër të Dhomës Kombëtare të Tregtisë, e cila është një nga kujdestaret e përpjekjeve të rritjes së bizneseve në të dy anët. Ne kemi shpesh disa pengesa sporadike në mes të këtyre dy tregjeve e që më shumë i përngjajnë më shumë atyre pengesave mediale sesa janë faktike. Kjo për arsye se nënshkrimi i disa marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Shqipërisë i ka eliminuar pothuajse të gjitha pengesat. Kanë mbetur ende edhe disa, por ato gjatë hasjes së tyre Qeveria e Shqipërisë është duke i mënjanuar menjëherë. Mund të them se nuk ka ndonjë pengesë që prodhimet bujqësore të shkojnë në Shqipëri për ato që i plotësojnë kriteret e një shteti, për arsye se çdo shtet i ka kriteret e importit. Ne flasim për barriera në mes Kosovës dhe Shqipërisë, por pak flasim për ato në mes Kosovës dhe Serbisë, sepse partneri kryesor i importit në Kosovë është Serbia”, ka thënë Shahini për Zëri.