OVL UÇK: Veteranët s’do ndërmarrin asnjë veprim, qeveria ta rivlerësojë procesin në tërësi

Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka folur sot përsëri për publikimin e listave të veteranëve të cilët prokuroria ka cilësuar se kanë përfituar jashtëligjshëm.

Lajme

19/09/2018 15:46

Në një konferencë për media gjatë ditës së sotme, Gucati ka thënë se mënyra që ka zgjedhur Prokuroria Speciale për verifikimin e veteranëve nuk qon drejt një zgjidhjeje efikase, pasi që sipas tij një gjë e tillë mund të shkaktoj kaos juridik.

Ai tutje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës formimin e një komisioni për rivlerësimin e këtij procesi.

“Mënyra që ka zgjedhur Prokuroria Speciale nuk çon drejt një zgjidhjeje efikase, por mund të shkaktojë një kaos juridik. Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës rivlerësimin e këtij procesi përmes një komisioni, kjo gjë do lironte edhe prokurorinë nga angazhimi”, ka thënë ai.

Tutje, Gucati ka thënë se në mbledhjen e sotme të kryesisë së OVL-së është marrë vendim që veteranët mos të ndërmarrin asnjë veprim deri në deri në një qëndrim tjetër të kësaj organizate.

Madje i pyetur për numrin e përgjithshëm të aplikacioneve të shqyrtuara nga prokuroria e Kosovës, Gucati ka thënë se Prokuroria ka gënjyer ngase sipas tij nuk kanë qenë 80 mijë aplikacione por 65 mijë.

Kujtojmë se Lajmi.net këto ditë ka publikuar veteranët e UÇK-së nga të gjitha zonat, të cilët prokuroria ka cilësuar se kanë përfituar jashtëligjshëm pensione. /Lajmi.net/