OVL UÇK: Kërkojmë nga Prokuroria që t’i shkojë deri në fund hetimit të listave të veteranëve

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbledhjen e mbajtur sot i është drejtuar institucioneve të vendit me një letër të hapur. Aty kanë shkruar disa kërkesa, si: Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive, të mos negociohen kufijtë e Kosovës, të drejtat e shqiptarëve të Luginës të jenë të barabarta me ato të serbëve të Kosovës etj.

Lajme

22/08/2018 16:05

Ata kanë paralajmëruar edhe një padi ndaj analistit Nexhmedin Spahiut për ditëlindjen e Adem Jasharit.

Kërkesat e tyre:

– Kërkojmë nga Institucionet e Republikës së Kosovës që Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të mos e bëjnë kurrsesi me kompetenca ekzekutive;

– Kërkojmë nga Institucionet e Kosovës konkretisht ekipi negociues me Serbinë, që të mos i negocioj kufijtë e Kosovës që janë njohur edhe ndërkombëtarisht, kufij të fituar me luftë dhe gjakun e dëshmorëve;

– Kërkojmë që të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore të jenë të barabarta me të drejtat e serbëve të Kosovës, pra të kërkohet reciprocitet në të drejta;

– I bëjmë thirrje spektrit politik të Kosovës që të jenë unik për sa i përket marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi;

– Sa i përket çështjes së listave të veteranëve, OVL UÇK e ka iniciuar dhe ka ftuar Prokurorinë e shtetit që të hetoj listat dhe kërkojmë nga Institucionet e drejtësisë që kësaj çështje t’i shkojnë deri në fund;

– I kundërshtojmë ashpër tendencat e denigrimit të luftës së UÇK-së dhe figurave tona të luftës e posaçërisht Kryekomandantit tonë Adem Jashari, dhe kërkojmë nga Prokuroria që të hetoj njerëzit si Nexhmedin Spahiu, për shpifjet dhe falsifikimet që i bën. Për shpifje të këtij niveli, Ne si OVL UÇK do të ngrisim padi.