OVL e UÇK-së paralajmëron protesta pas përgjigjes së rektorit

Përgjigja e rektorit të Universitetit të Prishtinës se memorandumi nuk nënkupton regjistrimin në universitet, ka nxitur reagimin e përfaqësuesve të shoqatës së familjeve të dëshmorëve.

Lajme

09/01/2015 18:26

Duke mos i përjashtuar as protestat, ata kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre. Ndërkohë, ministrit të Arsimit i kërkojnë shkarkimin e rektorit, i cili sipas tyre, ka bërë shkelje, duke mos e respektuar memorandumin. 

Por, zyrtarë të MASHT-it, në përgjigjen e tyre, thonë se nuk do të komentojnë lidhur me këtë çështje, pasi kjo u përket shoqatave dhe rektorit. 

Kthehet prapë në duar të Ministrisë së Arsimit e ashtuquajtura “patatja e nxehtë”, për të cilën ministri shpresoi se ka nisur të ftohet, pasi me këtë çështje po merren instanca më të larta, transmeton koha.net. 

Edhe pas diskutimeve në qeverinë e Kosovës, rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, ktheu përgjigje për Ministrinë e Arsimit e që nuk iu pëlqeu përfaqësuesve të shoqatave të familjeve të dëshmorëve. 

Përgjigjja e Zejnullahut se memorandumi nuk garanton regjistrimin në Universitet të fëmijëve të dëshmorëve, ka bërë që krerët e këtyre shoqatave të kërkojnë nga ministri i Arsimit shkarkimin e tij. 

Por, zyrtarë të kabinetit të ministrit të Arsimit nuk kanë dashur të komentojnë për këtë kërkesë, duke thënë shkurt se nuk do të merren me këtë, pasi kjo është çështje e brendshme e shoqatës dhe rektorit. 

Ndërkaq, Jashari paralajmëron se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, ndërsa nuk ka përjashtuar mundësinë edhe të protestave. 

Një ditë më parë, rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, me një letër që e ka bërë publike për medie, i është përgjigjur Ministrisë së Arsimit, lidhur me kërkesën për regjistrimin në Universitet të fëmijëve të kategorive të dala nga lufta. 

Ai, mes tjerash, ka sqaruar se Memorandumi është një dokument mirëkuptimi, me të cilin Universiteti ka shprehur vullnetin e mirë që t’u ndihmojë kategorive të dala nga lufta për regjistrim në Universitet, ndërkaq vet Memorandumi nuk përcakton asnjë modalitet të konkretizimit të këtij vullneti të mirë.