OVL e UÇK-së ka pesë kërkesa për ekzekutivin lidhur me ngjarjet në Kumanovë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), ka reaguar ndaj ngjarjeve që kanë ndodhur në Kumanovë të Maqedonisë një javë më parë.

Lajme

16/05/2015 13:42

Në reagimin e OVL UÇK-së, thuhet se kjo organizatë ka përcjellë me shqetësim ngjarjet në Kumanovë.

Ata po ashtu kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrë hapa konkret, duke kërkuar edhe inicimin e një mbledhje urgjente të Kuvendit të Kosovës.

Ja reagimi i plotë i OVL UÇK-së:

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovësi ka përcjellë me shqetësim ngjarjet në Kumanovë, përkatësisht në lagjen e trimave, ku forcat barbare sllavomaqedone kanë sulmuar popullatën civile shqiptare të pambrojtur, të cilës i dolën në mbrojtje luftëtarët e lirisë, përkatësisht një numër i bashkëluftëtarëve tonë, të cilët edhe kanë rënë në luftime.

Me shqetësim të madh e kemi vërejtur plasimin e dezinformatave të ndryshme, të cilat janë pjesë e luftës speciale të pushtuesit, me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit, dezinformime këto, që janë mundësuar për shkak të mospërgjegjësisë adekuate të qeverisë së Kosovës. Prandaj, për shkak të kësaj kërkojmë që:

  1. Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, të publikoj të gjitha informatat relevante me të cilat disponon, në saje të deklarimeve publike të Ministrit se kjo ministri ka qenë e njoftuar me të gjitha rrjedhat;
  2. Qeveria e Kosovës, e në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme, të bëjë trysni mbi qeverinë kriminale të Maqedonisë, për trajtimin e të zënëve rob në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe të monitorohet ky trajtim nga institucionet ndërkombëtare si p.sh. Kryqi i Kuq, si dhe t’ju mundësohet mbrojtja juridike;
  3. Qeveria e Kosovës, e në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme, të sqaroj publikisht arsyet për mbështetje të qeverisë kriminale të Maqedonisë, qeveri kjo e cila është dënuar dhe izoluar nga faktori ndërkombëtarë, dhe për më tepër është e implikuar thellë në vepra kriminale;
  4. Qeveria e Kosovës të inicioj mbledhje urgjente, dhe publike të Parlamentit të Kosovës rreth ngjarjeve të fundit në Maqedoni;
  5. Të bëhet obduksioni i të vrarëve edhe në Kosovë sepse nuk dihet se a janë vrarë të gjithë në luftime apo dikë nga torturat e kanë mbytur në burg.