OVL e UÇK-së ende nuk është dijeni nëse janë bërë përmirësimet në aktakuzën për listat e veteranëve

Prokuroria Speciale e Kosovës nesër ka afatin e fundit ligjor për ta dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës aktakuzën për rastin “Veteranët”.

Lajme

06/12/2018 23:35

Afati ligjor i përcaktuar po afrohet, por aktakuza ende nuk është dërguar në Gjykatë.

Prokurori Special, Sylë Hoxha, për lajmi.net ishte shprehur i bindur se do të respektohen të gjitha afatet ligjore për këtë aktakuzë.

Lexo edhe:

Prokuroria e ka gati aktakuzën për rastin “Veteranët”, OVL-UÇK nuk di asgjë për ndryshimet

E nga OVL e UÇK-së thonë se ende nuk janë në dijeni se çfarë ka ndodhur me përmirësimet e kërkuara të aktakuzës dhe se as nuk janë takuar me prokurorin Aleksandër Lumezi siç ishte paralajmëruar.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati tha për lajmi.net se nuk janë takuar me prokurorin Lumezi për arsye se Gucati ishte i sëmurë.

“Jo takimi nuk ka ndodhur për arsye se kam qenë i sëmurë për rreth 12-13 ditë, para dy ditësh jam kthyer në punë. Vetëm çka lexova në portale që prokurori ka thënë se lënda është gati”, tha Gucati për lajmi.net

Ai gjithashtu është shprehur i gatshëm t’u përgjigjet thirrjeve të prokurorisë në lidhje me rastin.

“Nuk kam dëgjuar, nuk kam informata të sakta në lidhje me përmirësimin e listave, por e di se është punuar. Sot me na thirrë prokuroria ne jemi të gatshëm me u përgjigj”, tha Gucati për lajmi.net.

Theksojmë se aktakuzë ishte ngritur ndaj Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjagës, Shkumbin Demaliajt, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Smajl Elezajt, Fadil Shurdhajt dhe Xhavit Jasharit.

E njëjta ishte kthyer pas për përmirësimet e nevojshme. /Lajmi.net/