OVL e UÇK-së e shohin peticionin si zgjidhje të fundit për ndryshimin e ligjit të Speciales

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës, sot edhe zyrtarisht e kanë nisur nënshkrimin e peticionit, me të cilin kërkojnë që Kuvendi të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit ëpr Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Lajme

15/12/2017 11:25

 

Përfaqësues të këtyre organizatave pasi edhe zyrtarisht e hodhën firmën e tyre në peticion, thanë se deputetët “duhet ta përmirësojnë gabimin, që e kanë bërë duke e votuar këtë gjykatë”.

Nasim Haradinaj, nënkryetar i Shoqatës së Veteranëve ka deklaruar se për deputetët ky është shanci i fundit për ta ndryshuar këtë ligj, raporton lajmi.net

“Është shansi i fundit për të gjithë ata që kanë gabuar dhe e kanë votuar këtë Gjykatë. Dëshira jonë është që Specialja të mos ndodhë fare, por të paktën të ndryshohet ligji për dhomat speciale. Secili deputet do ta mbajë peshën e vet”, deklaroi Haradinaj.

Kurse, përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së Xhavit Jashari ka pretenduar se Gjykata Speciale e shkel Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka bërë thirrje te deputetët që ta rishqyrtojnë këtë projektligj.

“Specialja shkel kushtetutën e Kosovës. Ne i bëjmë thirrje që kjo të rishqyrtohet, ne jemi kundër një gjykate të tillë. Është fyerja më e rëndë që i bëhet popullit shqiptar sepse lufta e drejtë e UÇK-së ka përmas kombëtare”, ka deklaruar Jashari,.

Ndryshe, në konferencë u bë e ditur se peticioni do të nënshkruhet në të gjitha komunat e Kosovës. /Lajmi.net/