OVL e UÇK-së jep propozim për krizën e Kuvendit

Organizate Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke shprehur shqetësim me bllokadën e punës së institucionit më të lartë në vend, Kuvendit të Kosovës, ka dalë me një propozim për të dalë nga situata e krijuar.

Lajme

04/10/2015 13:11

OVL e UÇK, duke konsideruar se edhe pozita edhe opozita dëshirojnë vetëm të mirën për Kosovën dhe interesat e qytetarëve të saj dhe duke besuar fuqishëm në vullnetin e faktorit politik për gjetjen e zgjidhjes që do të zhbllokonte jetën normale të institucioneve, propozon organizimin e një tryeze mbipartiake, me përfaqësues nga pozita e opozita, shoqërisë civile (ku edhe OVL do të jepte kontributin) dhe nën mbikëqyrjen e Ambasadës Amerikane.

“Tryeza, do të bënte takime të vazhdueshme, në mënyrë që në afat prej dy javësh të arrij në zgjidhjen që do të jetë e kënaqshme dhe e zbatueshme nga të gjitha palët”, thuhet në komunikatën e OVL të UÇK.

“Duke dëshiruar, që të jemi bashkë, të kemi shtet të fortë dhe institucione stabile, ne besojmë që kjo iniciativë e jona, do të has në përkrahjen e të gjithë atyre që e donë të mirën për qytetarët dhe shtetin tonë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/