Osmani: Shqipëria dhe Kroacia i kanë shkruar NATO-s ta përkrah formimin e ushtrisë

Deputetja Vjosa Osmani, ka shprehur bindjen se që nga viti 2013 kur është bërë rishikimi i Sektorit të Sigurisë ka mundur të bëhen ndryshimet në ligjin për FSK-në, madje edhe për misionin e saj.

Lajme

13/03/2017 18:24

Por tha se krijimi i ushtrisë duhet të bëhet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ani pse nëse ligji shkon në Kuvend, atë s’do të mund ta ndalë asgjë që ta votonte.

Ajo në një tryezë të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temën:- “Si të procedojmë me formimin e ushtrisë?”, theksoi se Kroacia dhe Shqipëria i kanë shkruar letër sekretarit të NATO-s në përkrahje të formimit të ushtrisë së Kosovës.

Sipas saj, që nga koha e zbatimit të pakos së presidentit Ahtisaari (dokumenti gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës) një prej qëllimeve ishte që nëse deputetët serbë e bllokojnë shndërrimin e FSK-së në ushtri me anë të Kushtetutës, procesi të vazhdojë më anë të ligjeve.

Ajo ka thënë, po ashtu se Kosova nuk mund të pres ndryshimin e politikave në rajon për të formuar ose jo ushtrinë e saj. Osmani konsideron se veç Serbisë, në rajon nuk ka kundërshtime për ushtrinë e Kosovës.

“Është ditur se Serbia do ta kundërshtojë në çdo moment. Ne nuk mund të presim që atje të ndryshojë retorika kundër pavarësisë së Kosovës. Pra, kur po thuhet se nuk është momenti në rajon, unë mendoj se është një vlerësim i gabuar. Kroacia dhe Shqipëria i kanë shkruar letër NATO-s në përkrahje të këtij procesi”, ka thënë Osmani.

“Unë nuk besoj se Mali i Zi apo shtetet e tjera në rajon kanë ndonjë arsye të jenë kundër transformimit të FSK-së në ushtri. Pra, po mbetet vetëm Serbia. Të kualifikohet tërë rajoni vetëm në bazë të qëndrimeve të Serbisë, unë mendoj se është një gabim i madh”, tha Osmani. /Lajmi.net/