Osmani i kërkon Mustafës shkarkimin e Jabllanoviqit

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, i ka konsideruar deklaratat e ministrit për kthim, Aleksandar Jabllanoviq si nxitëse të urrejtjes midis popullatës shqiptare e serbe në Kosovë. Ajo e vazhdon të jetë kundër koalicionit PDK-LDK. Ndërsa është zotuar që të punojë kundër votimit të Hashim Thaçit president në vitin e ardhshëm.

Lajme

16/01/2015 18:08

Osmani në emisionin “InfoMagazinë” të KlanKosovës, duke përmendu faktin që Jabllanoviq arsyetohej me mosdijen e tij për masakrat në Kosovë për kinse kishte qenë tinejxher, Osmani ka kujtuar se e njëjtës moshë ishte edhe ajo.

Madje, ajo ka thënë edhe se banesa ku jetonte në kohë të luftës, ishte jo fort larg nga ajo e Jabllanoviqit.

“Jabllanoviq e ka përmendur se kishte qenë tinejxher në atë kohë, në fakt edhe unë kam qenë tinejxhere. Kam jetuar jo shumë larg ku ka jetuar edhe ai në atë kohë dhe është e pamundur të mos kesh dëgjuar për krimet serbe të asaj kohe”.

“Ai është ministër i Republikës së Kosovës. Nuk përfaqëson vetëm serbët. Faktin që po sillet si ministër i Serbisë është ajo që duhej t’i merakoste të gjithë”, tha Osmani.

Sipas saj, deklarata të tilla do të ishin normale sikur të vinin nga cilido qytetar serb apo cilido ministër serb, por jo edhe ministër që paguhet nga taksat e qytetarëve kosovarë.

Ndryshe, siç tha Osmani, nëse Jabllanoviq vazhdon me një çasje të tillë, nuk ka pse të mos shkarkohet nga pozita ministrore e tij.

“Nëse ata vazhdojnë me këtë qasje ata nuk kanë arsye të paguhen nga taksapaguesit kosovarë. Pikërisht këtë po e them, sepse nëse ata nuk veprojnë përputhje me Kushtetutën e Kosovës nuk kanë pse paguhen nga taksapaguesit kosovarë”.

“Nëse ai vazhdon me këtë çështje, absolutisht duhet të shkarkohet. Ne si parlament nuk mund të shkarkojmë ministra, atë e bën Qeveria e Kosovës”.

Osmani nuk ka përjashtuar edhe mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje pas një viti e gjysmë, pas përfundimit të mandatit të presidentit. Ajo ka thënë se nuk e dëshiron kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin në pozitën e presidentit, dhe është zotuar se do të bëjë ç’është e mundur për ta parandaluar atë.

“Unë shpresoj se Hashim Thaçi nuk do të bëhet president, dhe do të punojë që një gjë e tillë mos të ndodhë”, ka thënë Osmani.(lajmi.net)