Osmani: Deklaratat e zëvendëskancelarit austriak, të rrezikshme për destabilizimin e rajonit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskancelarit austriak, Heinz-Christian Strache, ku u raportua të ketë thënë që veriut të Kosovës duhet t’i jepet e drejta për vetëvendosje.

Lajme

11/02/2018 20:21

Osmani ka thënë se deklaratat e tilla janë të rrezikshme në aspektin e sigurisë si dhe që hapin rrugë për destabilizim të Ballkanit dhe Evropës

“Kushdo që propozon ide për t’i dhënë të drejtën në vetëvendosje veriut të Kosovës flet në kundërshtim me parimet dhe rregullat bazë të së drejtës ndërkombëtare lidhur me të drejtën në vetëvendosje”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Facebook.

“Por, përtej aspektit juridik, deklaratat e tilla janë më së tepërmi të rrezikshme në aspektin e sigurisë dhe hapin rrugë jo vetëm për destabilizim të rajonit tonë por edhe të pjesëve të tjera të Evropës. Është e qartë se deklarata e sotme e Zëvendës-Kancelarit austriak Heinz Christian Strache është edhe në kundërshtim me politikat e Bashkimit Evropian në raport me Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin e palëkundur të shumicës së shteteve të botës demokratike për pacenueshmërinë e kufijve të Kosovës”, është shprehur Osmani.

“Por, kjo nuk do te ishte hera e parë që partia e Heinz-Christian Strache bie ndesh me politikat dhe parimet e BE-së. Mjafton të përmendet që për shumë vite me rradhë lider i asaj partie ishte ultranacionalisti Jorg Haider. Përndryshe, Austria gjithnjë ka pasur qëndrim konsistent në raport me pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial te saj. Prandaj, jam e bindur që zëri i zv.Kancelarit Strache do të mbetet zë i vetmuar”, ka thënë deputetja e LDK’së.