Osmani: AKP duhet të hetohet për vendimin e Goleshit

Vendimet e fundit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) janë shqetësuese për deputetin dhe ish-anëtarin e bordit të AKP-së, Naser Osmani.

Lajme

15/02/2015 15:51

Sipas Osmanit, vendimi për Minierën “Goleshi” është shumë i dyshimtë dhe për këtë duhet të jepet llogari nga ana e organeve të AKP-së.

Ligjvënësit do të kërkojnë nga kjo agjenci raporte lidhur me vendimin e dhunshëm për tërheqjen e aksioneve të Minierës së “Goleshit” që ndodhet në Lipjan.

Osmani, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se ka dyshime për disa vendime që ka marrë ky institucion, madje ata që kanë marrë vendimin për Goleshin duhet të japin llogari para Kuvendit se a ka pasur ligjshmëri vendimi pasi çdo vendim i bordit të AKP-së për të qenë fuqiplotë duhet t’i ketë 5 vota.

“Goleshi është dashur të hyjë në funksion brenda dhjetë ditësh mirëpo kjo ndërhyrje që ka ndodhur atje unë si deputet edhe si njeri që kam përcjell zhvillimet ekonomike kam dyshime se ai vendim a ekziston a është vendim fuqiplotë a janë pesë vota. Sepse bordi ka tetë anëtar , pesë vota janë fuqiplotë nëse nuk i konteston Dhoma e Veçantë pranë Gjykatës Speciale. Do të thotë, nuk mund t’i kontestojë askush, as policia e as ushtruesi i detyrës në funksion të drejtorit. Prandaj janë këto çështje që duhet me i hulumtua Komisioni funksional duhet ta ftojë në raportim çka po ndodh për arsye se përgjegjësia jonë është që t’i dalim në ndihmë ekonomisë dhe atyre që kanë interesim për me zhvillu ekonominë dhe nuk kemi dërgua atje njerëz dhe nuk janë ata njerëz të cilët e pengojnë zhvillimin ekonomik apo ndërmarrin vendime për interesa të caktuara të paditura jo transparente që e pengojnë investimet edhe që e pengojnë punësimin dhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë Osmani pë KP.

Ai ka thënë se AKP është institucion që vepron sipas ligjeve në fuqi dhe se kohët e fundit ka mbet i pa kompletuar dhe ka sjellë disa vendime shqetësuese.

“AKP-ja si një institucion shumë i rëndësishëm dhe vital për shtetin e Kosovës i cili ka një rol të jashtëzakonshëm në tjetërsimin e pronës sipas dokumenteve , rregulloreve ligjeve në fuqi në kohën e fundit ka mbet e pa kompletuar dhe ka pru disa vendime të cilat janë shqetësuese për neve deputetëve në përgjithësi”, ka thënë Osmani.

Ai thotë se vendimi për Goleshin me më pak se 5 vota të bordit është i jashtëligjshëm. Madje Osmani është i habitur me policinë, e cila, sipas tij, është përdorur për qëllime të caktuara.

“Ka pasur disa kontrata me disa firma që kanë me investu në Golesh të cilat bordi me fuqinë e votës e ka dhënë e ka shtyrë afatin për plotësimin e këtyre investimeve. Janë pru disa vendime të cilat po i dëgjoj nga ju dhe të tjerët që nuk është me pesë vota. Kjo çka ka ndodhur do të thotë duke u përdorur policia është pak e çuditshme për arsye se edhe përzierja futja e duarve për vendime të ndryshme ka devalvuar institucionin. Nuk është çështje e policisë që të merret me këto çështje po është kompetencë e Kuvendit që e mbikëqyrë edhe e njerëzve që e ushtrojnë me kompetencë”, citohet nga Kosovapress Naser Osmani.