OSHP anulon për shkelje tenderin 10 milionësh të Minsitrisë se Shëndetësisë

Gjykata e Tenderëve ka konstatuar se vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të rekomanduar për kontratë në vlerë prej 9,4 milionë kompaninë ‘Al Trade’ ka qenë i kundërligjshëm. Tenderi i anuluar ishte për ndërtimin e Spitalit Regjional në Ferizaj.

Lajme

11/02/2017 11:13

Ministria e Shëndetësisë, sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka bërë shkelje ligjore në tenderin 9,4-milionësh për ndërtimin e Spitalit Regjional në Ferizaj.  Gjykata e Tenderëve ka konstatuar se vendimi i kësaj ministrie për të rekomanduar për kontratë kompaninë ‘Al Trade’ ka qenë i kundërligjshëm.

“Anulohet vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për dhënie të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Ndërtimi i Spitalit Regjional në Ferizaj’ dhe lënda të kthehet në rivlerësim që konform nenit 72 të kërkohen sqarime shtesë në lidhje me dokumentet e operatorit ekonomik ‘Pe-Vla-Ku’”, thuhet  në vendimin e OSHP-së.

Paneli Shqyrtues i Prokurimit i përbërë nga kryetari Blerim Dina, Goran Milenkoviq, Nuhi Paçarizi, Ekrem Salihu dhe Tefik Sylejmani e ka miratuar pjesërisht ankesën/pretendimet e kompanisë “Pe-Vla-Ku”, mirëpo i ka anuluar dy ankesat e tjera të dorëzuara nga operatorët “Favor Ing” & “As Ing” & “Ҫlirimi” dhe “Alko Impex” & “Electra” & “Agri Construction”.

“Në lidhje me pretendimet e operatorit ekonomik ankues ‘Pe-vla-ku’ se është eliminuar padrejtësisht nga ky aktivitet i prokurimit, paneli shqyrtues konstaton se Ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë sqarime konform nenit 72 të Ligjit për Prokurim Publik në lidhje me diplomën dhe kualifikimin e inxhinierit Avni Sokoli dhe dokumentet e tjera të paqarta”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Paneli Shqyrtues i Prokurimit i përbërë nga kryetari Blerim Dina, Goran Milenkoviq, referues dhe anëtarët Nuhi Paçarizi, Ekrem Salihu dhe Tefik Sylejmani, kanë vendosur për anulimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien e kontratës duke u bazuar në ankesat e operatorëve ekonomikë “Pe-vla-ku  Sh.p.k”, “Favor Ing” & “As Ing” & “Ҫlirimi” dhe “Alko Impex” & “Electra” & “Agri Construction”.

Shkeljet e Ministrisë se Shëndetësisë

Gazeta Fjala më herët pati raportuar se ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, e kishte vendosur për këtë tender në komision vlerësues ish-zyrtaren e kompanisë “Al Trade”. Bëhet fjalë për Donjeta Berisha-Reçica, e cila sipas dokumenteve që ka siguruar Gazeta Fjala, është njëra prej katër anëtarëve që ka vendosur në tenderin për “Ndërtimin e spitalit në Ferizaj”.

Fituese u shpallë kompania “Al Trade”, ndonëse në garë ishin disa kompani që ofruan çmim më të lirë.

Ndërkohë, Gazeta Fjala raportoi se Berisha-Reçica vite më parë në “Al Trade” kishte ushtruar detyrën e zyrtares në administratë dhe ngritë dyshimet për konflikt interesi në këtë proces.

Në dokumentacionet që ka siguruar gazeta, Reçica prezantohet si anëtare e komisionit vlerësues, me përgatitjen profesionale “inxhiniere e diplomuar”.

Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë sqaruar se a kanë qenë në dijeni se në komision vlerësues kanë vendosur personin që kishte lidhje të afërta me kompaninë fituese.

“Tenderi është vlerësuar nga një komision mjaft profesional (në përbërje prej 4 inxhinierësh dhe një doktor) dhe vendimi i dhëne konsiderojmë se është i drejtë dhe ne përputhje me Ligjin e Prokurimit”, thuhet në përgjigjet e Departamentit për media në Ministrinë e Shëndetësisë.

Por, kjo nuk ishte shkelja e vetme rreth këtij tenderi. Pas ankesave të tri kompanive tjera në garë, ky tender ka përfunduar në OSHP për shqyrtim. Al Trade u zgjodhë si më e mira në mesin e 7 kompanive tjera në garë ndonëse ofronin çmim më të lirë.

Gazeta Fjala e ka siguruar edhe renditjen e kompanive ofertuese për këtë tender, ku “Al Trade” renditet e 8-ta, për nga çmimi, që është edhe kriteri kryesor për përzgjedhjen e fituesit të tenderit.

“Tenderi për ndërtimin e Spitalit ne Ferizaj është ne fazën e ankesave në OSHP, pasi janë bërë tri ankesa nga operatorët ekonomik dhe pritet shqyrtimi dhe vendimi nga OSHP”, patën thënë nga Divizioni i Komunikimit më Publikun në MSH.

Në përgjigjen e tyre thuhet se kriter i dhënies së kontratës ka qenë “Oferta e përgjegjshme me çmimin me te lire” , andaj në bazë të këtij kriteri oferta e përzgjedhur si fituese është me e lira nga ofertat e përgjegjshme.

Kjo është arsyeja sipas tyre se pse u përzgjedhë “Al Trade” si më e mira, edhe pse kishte 7 kompani tjera në garë me çmim më të lirë.

“Ofertat më të lira, se sa operatori fitues, nuk i kanë plotësuar të gjitha kriteret që janë kërkuar në Njoftimin për kontratë dhe në Dosje të tenderit, andaj janë trajtuar si të papërgjegjshme. Parallogaria e dhënë nga projektuesi i këtij projekti ka qenë 11,981,921.31 euro dhe në bazë të kësaj parallogarie është tenderuar ky projekt. Oferta e përzgjedhur si fituese është me vlerë 9,468,000.94 euro që krahasuar me vlerën e parallogaritur është mjaftë e ulët”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e dhënë Gazetës Fjala.