OSBE uron Mimozën

Ambasadori Schlumberger mirëpret zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve në Kosovë dhe uron Kryetaren e parë femër të një Komune në Kosovë, Mimoza Kusari-Lilën. Ai shpreh keqardhje për sulmet ndaj mediave në Partesh e Graçanicë.

Lajme

04/12/2013 15:50

Shefi i Misionit të OSBE’së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, ka mirëpritur zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

“Jam i inkurajuar me ato që kam lexuar në raportin preliminar të Misionit të BE’së për Vëzhgim të Zgjedhjeve i cili thekson se përkundër disa parregullsive në të dy raundet zgjedhjet ishin të standardeve ndërkombëtare,” tha Schlumberger dhe përgëzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe organet për zbatim të ligjit për këtë arritje.

“Jam shumë i kënaqur që, për herë të parë që nga viti 1999, Kosova tani ka një kryetare femër dhe unë e përgëzoj Znj. Kusari-Lila për fitoren e saj. Zgjedhja e saj gjithsesi i kontribuon promovimit të barazisë gjinore dhe bërjes së barazinë gjinore realitet.”

Schlumberger vuri në pah se liria e medies është shumë e rëndësishme, sidomos gjatë zgjedhjeve, duke shprehur keqardhjen e tij rreth dy incidenteve që ndodhën më 1 dhjetor, dhe që patën efekte negative në punën e medieve, gjegjësisht sulmi në ekipin e TV Plus në Partesh dhe djegia e makinës së korrespondentit të Tanjug’ut në Graçanicë.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.