OSBE nuk po raporton

OSBE nuk është duke i raportuar fare KQZ'së për punën rreth pjesës veriore dhe votuesve jashtë vendit. Kjo po e shqetëson KQZ'në. Valdete Daka thotë se do të ankohet. Anëtarët e KQZ'së mendojnë se ky është një proces i manipuluar.

Lajme

29/10/2013 13:50

Edhe pak ditë kanë mbetur deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ndërsa Misioni i OSBE’së në Kosovë, i ngarkuar për organizimin e zgjedhjeve në komunat e veriut të vendit, ende nuk i ka raportuar KQZ’së për punën që po zhvillohet në këtë pjesë dhe për votimin jashtë Kosovës.

Të gjithë anëtarët e KQZ’së janë shprehur të shqetësuar sot, se pse ende nuk kanë një raport të nga OSBE’së për votuesit jashtë vendit dhe votuesit e veriut. Ata thonë se është një procesi i manipuluar.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka thënë se do t’i dërgojë një shkresë Shefit të Misionit të OSBE’së, Ambasadorit Jean- Claude Schlumberger për dhe Përfaqësuesit Special të BE’së, Samuel Zbogar, për ta shprehur shqetësimin e këtij institucioni.

“Unë në emër të KQZ’së do t’i dërgoj një shkresë ambasadorit të OSBE’së dhe njëkohësisht me këtë ta njoftoj edhe zyrën Zbogar i cili përfaqëson BE’në në Kosovë dhe ta shprehim shqetësimin e KQZ’së se OSBE nuk është duke e njoftuar KQZ’në fare për punën që është duke u zhvilluar në pjesën veriore e sidomos për votimin jashtë Kosovës”.

Daka është shprehur se edhe pse bërë kërkesë për raport nga ambasadori i OSBE’së në Kosovë asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje.

“Unë personalisht kam kërkuar nga vet Ambasadori i OSBE’së një raport dhe e kam njoftuar disa herë se KQZ’ja ka kërkuar raportim nga OSBE për atë se çka është duke ndodhur në pjesën veriore, mirëpo asnjëherë deri më tani nuk kemi marrë diçka të shkruar”.

Ndërsa anëtari i KQZ’së Florian Dushi ka thënë se kjo është një formë e papërgjegjshme nga ana e OSBE’së dhe në rast të dështimit të procesit dihet se kush është fajtori.

“Kjo është një formë goxha e papërgjegjshme e Misionit të OSBE’së në raport me institucionin tonë. Kjo sjellje është e papranueshme”.

“Eventualisht dështimet në proces që mund të ndodhin atëherë do ta kemi të gjithë të qartë adresën e cila është adresa në fakt”.

“Për më tutje e kemi problematikën tjetër që lidhet operacionin e votimit përmes postës dhe ne duhet të dimë nga OSBE, se si OSBE ka menduar që ta zhvillojë këtë proces të votimit apo këtë proces të bartjes së pakove të votimit në Republikën e Serbisë për faktin se ka dyshime të bazuara se ky është një proces tashmë krejtësisht i manipuluar dhe pritet sidomos pjesa e votimit të manipulohet”.

“Ne duhet të sigurohemi që janë vërtet ata qytetarë të cilët do të votojnë dhe jo që do të votoj dikush në emrin e tyre”.

Anëtari tjetër Ilir Gashi ka thënë se KQZ duhet ta ketë një raport nga OSBE më së largu deri nesër.

“Mendoj që nesër duhet të jetë më së largu dita ku ata të bëjnë një raport dhe të vijnë para nesh për të raportuar për këtë proces”.

“OSBE duhet të informojë për gjithë procesin që është duke ndodhur në pjesën veriore të Republikës së Kosovës sepse na mungojnë informacionet dhe mendoj që është momenti i fundit që ata të vijnë këtu dhe të raportojnë për gjithë rrjedhën dhe gjithë procesin deri ku shkuar dhe si po zhvillohet atje në atë pjesë ku ne nuk kemi akoma  një raport”.

Ndërsa Adnan Rrustemi ka thënë se për të raportuar i duhet Sekretariatit të KQZ’së, e jo OSBE’së.

“Ne nuk duhet të pranojmë një raport nga OSBE. Të gjitha çështjet që lidhen me organizimin e zgjedhjeve duhet të na vijnë nga raporti i Sekretariatit”.

“Votimi jashtë vendit është e vërtet që moti  ka dalë jashtë përcaktimeve ligjore dhe tashmë është një proces komplet i manipuluar, sepse në radhë të parë i kanë manipuluar emrat dhe personat që i kanë përfshirë në listën votuese ashtu siç i kanë manipuluar komplet regjistrimin të  tyre si votues dhe tashmë kanë filluar t`i manipulojnë edhe fletëvotimet”.

Sekretariati i KQZ`së deri të premten ka pranuar 6022 fletëvotime të plotësuara  që kanë votuar nga Serbia, ndërsa 101 fletëvotime tjera janë pranuar përmes OSBE’së nga Mali i Zi.

Në kuadër të operacionit të votimit përmes postës PZAP ka pranuar rreth 16,355 ankesa. Nga to 5,289 ankesa  kanë qenë të aprovuara dhe 11,066 ankesa janë refuzuar.