OSBE e gatshme për rivotim në Veri

Në një deklaratë për lajmi.net, Nikola Gaon thotë se OSBE është e gatshme ta luajë përsëri rolin e vet në votime në Veri, pavarësisht se stafi i këtij misioni ishte pritur keq nga grupe serbësh në Veri më 3 nëntor.

Lajme

06/11/2013 09:21

Misioni i OSBE’së në Kosovë është i gatshëm të shkojë përsëri në Mitrovicën e Veriut për ta lehtësuar rivotimin në tri vendvotimet e komunës së Mitrovicës së Veriut ku grupe ekstremistësh serbë kishin shkatërruar materialin votues më 3 nëntor.

Në një deklaratë për lajmi.net, zëdhënësi i këtij misioni, Nikola Gaon thotë se OSBE është e gatshme ta luajë përsëri rolin e vet në votime, pavarësisht se stafi i këtij misioni ishte pritur keq nga grupe serbësh në Veri më 3 nëntor.

Sido që të jetë, OSBE preferon që mjedisi i sigurisë në ditën e rivotimit- e cila nuk është vendosur ende- të jetë më i favorshëm për votuesit dhe organizuesit e zgjedhjeve.

“Ne duam ta kryejmë punën tonë në një mjedis të sigurt. Marrëveshja e Brukselit parasheh rolin lehtësues për OSBE’në dhe ne jemi të gatshëm ta luajmë rolin tonë”, tha për lajmi.net Nikola Gaon, zëdhënës i Misionit të OSBE’së.