OSBE dënon sulmin ndaj Pantic

Ambasadori Jean- Claude Schlumberger u bën thirrje organeve të zbatimit të ligjit që të hetojnë këtë sulm dhe t’i ndjekin kryesit e këtij akti.

Lajme

02/11/2013 11:44

Shefi i Misionit të OSBE’së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, e ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj njërit prej kandidatëve për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantic.

“Kam reaguar në mënyrë të vazhdueshme kundër përdorimit të forcës dhe përpjekjeve për të minuar të drejtën e votuesve në veriun e Kosovës që të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre për të votuar. Sulmi i mbrëmshëm ndaj Zt. Pantic është i fundit në serinë e përpjekjeve të tilla dhe unë e dënoj fuqishëm,” tha Schlumberger.

“U bëj thirrje agjencive për zbatim të ligjit që të hetojnë këtë sulm dhe t’i ndjekin kryesit e këtij akti. Mbes i bindur se ofruesit e sigurisë në Kosovë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurtë për zgjedhjet që mbahen nesër.”

OSBE është duke i lehtësuar zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës në pajtim me marrëveshjen e 19 prillit në mes të Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE.