OSBE demanton Serbinë

Misioni i OSBE’së në Kosovë demanton deklaratat e zyrtarëve në Beograd për ndërhyrje të këtij misioni në vullnetin e votuesve në Veriun e Mitrovicës. OSBE jep versionin e vet të ngjarjes të së dielës, pas mbylljes së tri qendrave të votimit.

Lajme

19/11/2013 15:36

Shefi i Misionit të OSBE’së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, i ka hedhur sot poshtë akuzat e zyrtarëve serbë rreth veprimeve të papërshtatshme dhe ndërhyrjes në vullnetin e votuesve në Mitrovicë të Veriut më 17 nëntor.

“Do të doja t’ua përkujtoja të gjithëve se OSBE është duke i lehtësuar zgjedhjet lokale në veri të Kosovës në pajtim me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës të arritur më 19 prill në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së; se OSBE është duke e zbatuar atë që janë marrë vesh palët; dhe se të gjitha palët në marrëveshje janë të informuar rreth punës sonë dhe  rekomandimeve tona teknike që bëhen siç e shohim të nevojshme, duke përfshirë anëtarët e grupit punues për zgjedhje.”

“Për më tepër, dëshiroj t’i trajtoj dhe t’i hedh poshtë disa deklarime tepër të pasakta dhe çorientuese të bëra në media së fundi rreth rolit të OSBE-së në votimet e përsëritura në tri qendra votimi në Mitrovicë të veriut.

OSBE ka paraqitur faktet e veta në mbështetje të përgënjeshtrimit ndaj deklaratave të Zëvendës Kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vucic dhe kandidatit të “Listës Serbe” për Kryetar të Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantic.

OSBE është akuzuar se ka vepruar njëanshëm dhe pa mandat kur ka transportuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Fushë Kosovë.

“Kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë Shefi i këtij Misioni.

Sipas deklaratës, OSBE ka dhënë rekomandimin e saj, ndërsa vendimi për t’i numëruar votat në QNR është marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) para mbylljes së qendrave të votimit më 17 nëntor për të garantuar sigurinë e stafit dhe materialit. Për më tepër, një vendim i mëparshëm i KQZ-së i datës 16 nëntor parashihte numërimin jashtë qendrave të votimit si një nga dy opsionet për zgjedhjet e 17 nëntorit.

“Dua t’ia përkujtoj opinionit publik se më 3 nëntor është sulmuar stafi ynë dhe anëtarët e këshillave të vendvotimeve, dhe unë e falënderoj KQZ-në për marrjen e këtij vendimi për të siguruar një ambient pune të qetë dhe të sigurt për të gjithë, dhe për të siguruar integritetin e procesit të numërimit më 17 nëntor”.

“Ky vendim i ka ndihmuar tutje aranzhimet e sigurisë të bëra nga autoritetet e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i, dhe KFOR-i, performanca e të cilëve ka qenë e shkëlqyeshme”, është shprehur ai.

“Në këtë kontekst, mendoj se është shumë shqetësuese që njëri nga 11 anëtarët e KQZ-së personalisht e ka penguar zbatimin e vendimit të KQZ-së për të numëruar votat në QNR duke mbajtur konferencë për shtyp në shkollën ‘Sveti Sava’ duke ndaluar bartjen e sigurte të materialit sensitiv zgjedhor – kjo ka shkaktuar vonesa në zbatimin e vendimit”.

“Në raport me posedimin e materialit zgjedhor, dua të theksoj se zinxhiri i posedimit të materialit sensitiv dhe jo-sensitiv nuk është këputur asnjëherë, pasi që kutitë e votimit kanë qenë nën mbikëqyrjen e anëtarëve të 27 këshillave të vendvotimeve dhe stafit të OSBE-së gjatë gjithë votimit, pas mbylljes së vendvotimeve, dhe gjatë bartjes e numërimit”.

Kryesuesit e këshillave të vendvotimit, të cilëve fillimisht u është besuar detyra e përcjelljes së kutive të mbyllura të votimit, me një anëtar tjetër poqë se ka pasur vend, kanë qenë në veturat e OSBE-së me me stafin e OSBE-së, bashkë me materialin sensitiv dhe jo-sensitiv gjatë gjithë procesit të bartjes. Kjo përfshinte formimin e një kolone të vetme në Mitrovicën e Jugut, përderisa anëtaret tjerë nga 27 këshillat e vendvotimeve janë bartur me autobus.

“Për më tepër, anëtarët dhe kryesuesit e këshillave të vendvotimit, të emëruar nga subjektet politike në garë për Mitrovicën e Veriut, i kanë numëruat votat në QNR ashtu siç do të bënin në vendvotimet në Mitrovicën e Veriut, por në një ambient shumë më të sigurt”.

“Iniciative Qytetare Srpska, si një nga 11 subjektet politike në garë për zgjedhjet lokale në Mitrovicën e Veriut ka kontribuar me gjashtë kryesues dhe 21 anëtarë të këshillave të vendvotimeve në 27 këshilla të vendvotimeve – asnjëri nga ata nuk ka ngritur ndonjë brengë  gjatë bartjes dhe numërimit të materialit, apo pas kësaj”.

“Policia e Kosovës dhe EULEX-i kanë bërë sigurimin e mjeteve që kanë bartur materialin gjatë gjithë kohës nga vendvotimet tek QNR-ja në Fushë Kosovë, përderisa KFOR-i ka ofruar siguri shtesë për mjetet nga pjesa veriore tek pjesa jugore e Lumit Ibër”.

“Edhe njëherë dua them se të gjithë anëtarët e këshillave të vendvotimit të emëruar nga subjektet politike në garë për zgjedhjet lokale në Mitrovicën e Veriut kanë qenë të pranishëm gjatë procesit të numërimit dhe nuk është gjetur asnjë dëshmi për të sugjeruar se është prekur materiali zgjedhor gjatë bartjes. Është me rendësi të ceket se asnjë ankese nuk është bere në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për ndonjë pjesë të procesit”.

“Deklaratat rreth vonesave në bartjen e materialit zgjedhor dhe gjoja lëshimeve gjatë posedimit të tyre janë të pasakta. Aranzhimet e sigurisë kanë përfshirë bartjen e materialit në një kolonë të vetme e cila është formuar në Mitrovicën e Jugut. Pasi që qendra e votimit në shkollën Sveti Sava është mbyllur pas orës 20:30 për shkak të numrit të votuesve brenda shkollës që po pritnin në radhë në kohën kur është dashur të mbyllet qendra e votimit, kolona me materialet e të gjitha 27 vendvotimeve, duke përfshirë 16 nga shkolla ‘Sveti Sava’, nëntë nga Shkolla Teknike dhe dy nga Shkolla e Mjekësisë kanë arritur në QNR pak pas orës 22:00. Siç thashë më herët, pengimi i procesit dhe vendimit të KQZ-së nga një anëtar i saj ka shkaktuar po ashtu vonesë”.

“Dua të përsëris se kryesuesit e këshillave të vendvotimeve, dhe në disa raste edhe një anëtar tjetër i këshillave të vendvotimeve, kanë qenë së bashku me materialet gjatë gjithë kohës duke përfshirë edhe kohën kur është krijuar kolona në Mitrovicën e Jugut”.

“Deklaratat në lidhje me gjoja kontaktet konspirative me kandidatë të caktuar janë të pavërteta dhe të dëmshme. Stafi im i ka informuar të pesë subjektet politike që garuan për kryetar komune, duke përfshirë Iniciativën Qytetare Srpska dhe Iniciativën Qytetare SDP – Oliver Ivanoviq, para zgjedhjeve, të premten me 15 nëntor, për aranzhimet e sigurisë dhe rekomandimin e OSBE-së për t’i numëruar fletëvotimet në QNR, si dhe për aranzhimet logjistike që ky rekomandim ka kërkuar. Asnjëra nga subjektet politike nuk ka kundërshtuar”.

“Për fund, dua të theksoj se OSBE është thellësisht e zhgënjyer nga sfidimi i pabazë dhe i papërgjegjshëm i integritetit të saj si lehtësues i zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës. OSBE ka histori të gjatë dhe krenare të zhvillimit demokratik dhe menaxhimit të zgjedhjeve, dhe përderisa e mirëpres angazhimin dhe kritikën konstruktive, jam i zemëruar me përpjekjet për ta njollosur imazhin e saj dhe për ta prishur një proces historik zgjedhor”.

“OSBE, së bashku me partnerët e saj, do të vazhdoj të punojë drejtë zgjedhjeve të sigurta dhe të suksesshme për Kosovën dhe të gjitha komunitetet e saj”, ka thënë Ambasadori Jean- Claude Schlumberger.