Organizatorët e protestës kanë një kërkesë për Vuçiqin në lidhje me Kosovën

Organizatorët e protestës “Një nga pesë milionë” kanë shpalosur kërkesat e tyre për presidentin e Serbisë. Aleksandar Vuçiq.

Lajme

11/01/2019 15:45

Organizatorët e protestës “Një nga pesë milionë” kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që ta prezantojë para qytetarëve planin e tij për Kosovën, duke shtuar se ata janë adresa të cilës duhet t’i drejtohet dhe jo “Brukseli, Washingtoni, Moska ose Prishtina”.

Në njoftimin e tyre, ata akuzojnë Vuçiqin se me politikën që udhëheq, “shteti i Serbisë tërhiqet nga Kosova”, transmeton lajmi.net.

“Kanë kaluar tetë vite, prej kur ke premtuar se kur të marrësh pushtetin, do të anulosh të gjitha ato që kanë qenë marrëveshje për Kosovën. Shtatë vite kanë kaluar prej kur je në pushtet, gjashtë prej të cilave kur i vetëm ke arritur marrëveshjen e Brukselit. Derisa feston fitore prej 5:0, fabrikat e tua të gënjeshtrave mundohen të na bindin se fotografia e fituesit është gjyqtari serb i cili betohet me kushtetutën e shtetit të Kosovës. Dhe punonjësi i doganës në uniformën e Kosovës”, thuhet në fillim të njoftimit, transmeton lajmi.net.

Organizatorët e protestës kanë akuzuar presidentin se ka “instaluar kriminelët e tij të udhëheqin me gjithë territorin”, sipas tyre “duke tërhequr institucionet e Serbisë nga veriu i Kosovës”.

“Aleksandar Vuçiq, nga fitoret e tua, nga pretendimet e tua se nuk fle gjumë dhe nuk ushqehesh, kemi arritur deri aty ku nuk kemi asnjë metër të tokës serbe në Kosovë. Të na thuash se nuk ka serbë në Kosovë. Pse gënjen? Ka serbë në Kosovë, ka edhe tokë serbe. Pse na kanë vendosur taksë 100 % një Qeveri ku ulen tre ministra të juaj? Pse ata janë ende ministra”, pyeten organizatorët e protestës.

Ata po ashtu kërkojnë nga Vuçiq ta zbulojë planin e tij për Kosovën. “Ne jemi adresa, jo Brukseli e as Washingtoni, Moska ose Prishtinë. Me ne flet rreth kësaj. Nëse nuk ke plan, dil publikisht dhe na njofto”, përfundon njoftimi. /Lajmi.net/