Organizatat biznesore kërkojnë implementimin e pakos Fiskale 2.0

Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës fillimin e implementimit të gjitha pikave të pakos Fiskale 2.0.

Lajme

26/09/2017 13:31

“Ne si organizata kemi investuar kohë dhe mjete të konsiderueshme në përpilimin dhe përgatitjen e pikave të përfshira në këtë pako. Po ashtu ndërmarrjet prodhuese në Kosovë e kanë planifikuar planin e punës duke u bazuar në zbatimin e kësaj pakoje. Andaj, çdo vonesë e mëtutjeshme në zbatimin e kësaj pako nuk është e justifikueshme dhe do të ketë implikime negative në operimin e ndërmarrjeve prodhuese duke i bërë më pak konkurrente në tregun e Kosovës”, theksojnë organizatat biznesore.

Përmes kësaj pakoje, organizatat biznesore thonë se prodhuesit vendore do të jenë të barabartë me prodhuesit e rajonit dhe këto masa do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e prodhimeve ‘Made in Kosova’ në treg, rritje të punësimit si dhe rritje të të hyrave për institucionet e Republikës së Kosovës.

“Kërkojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave të fillon të implementon këtë pako menjëherë dhe pa ndryshime të mëtutjeshme”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Amerikane e Kosovës dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare. /Lajmi.net/