“Orë poetike” e Sabri Hamitit

Deputeti Sabri Hamiti nga radhët e LDK-së, ka mbajtur ‘orë letrare’ të martën në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

09/06/2015 15:21

Në seancën e mbajtur kushtuar Isa Boletinit ka thënë se kujtimi i ikonave shqiptare, të lidhura njëra me tjetrën, të cilat në mbiemra mbajnë vende e krahina shqiptare, në kohë e në hapësirë, na nxjerrin përpara mbi të gjitha sintaksën shqiptare, që lidh mendimin dhe veprimin për të krijuar identitetin kombëtar si vetëdije e si histori; një trashëgimi që kapërcen breza e shekuj.

Tha se në shënimin e 100 vjetorit të Isa Boletinit duke i kthyer eshtrat e tij në vendlindje, në Boletin, lejohet të kalohet nga kujtesa historike në kujtesë poetike.

Ja poezia e tij:

ISA BOLETINI

Fliste. Flitshin. I ndëgjonte,

Isa me sy plot mall

Maste largësitë e Dheut.

 

Me gishta të trashë

Shkruante hartën e re

Në dheun e kuq të udhës,

Isa me sy të përmalluar

Maste largësitë e At-Dheut.

 

Tymi le të dalë në Llap

Kur nën lisa bie dushku

Të çohet flakë përnjëherë

Në Kaçanik, në Carralevë.

Isa me sy të përmallshëm

Shihte udhët që ngjiteshin.

 

Flaka nis zihet e rritet

Kur dushku bie ndër Lisa

Zjarri e djeg mustakun

Në sy ziente lotin Isa

E vargu i shtruar me plisa

E zdrit udhën në një.

 

Isa me sy të përmallshëm

Maste gjerësitë e Dheut

Këmbët ngulte në Gur

Kur shkelte në Flamë-Urë

I drejtë si një Flamur

 

E tirrte mallin Isa

Në flakë digjej shtëpia

Kur dushku bie nën Lisa

E rruga shtrohet me plisa

Me gisht krijonte hartën

Po gishti pikonte gjak.

 

Nuk herret mali me shpatë

Nuk shkelet deti me kalë

Nuk shuhet malli me valë

Në udhën e shkretë në natë.

Kur shkeli në Flamë-Urë

I drejtë si një Flamur.

 

Një dorë në zemër një në flakë

E shkundi malin fryu fushat.

Masha ia mati shtatin!

Kur tha se vdiq keq tjerr fatin,

Me lot me rrenat e Dheut

Mat gjerësinë e At-Dheut.

 

(E shkruar në vitin 1981)