ORCA dhe ADMOVERE kërkojnë formim të komisionit hetimor për plagjiaturat

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim dhe AdMovere ka mbajtur konferencë ku adresoi 16 rastet e plagjiaturave me emra konkret dhe 8 raste të profesorëve të rregullt, po ashtu duke zbuluar emrat e tyre.

Lajme

12/10/2018 11:33

Rron Gjinovci nga organizata Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim tha se Rektorati i Universitetit të Prishtinës nuk po ndërmerr asgjë pavarësisht kërkesave të ORCA-s.

“Pavarësisht se ORCA u ka dërguar senatorëve vlerësimin për punimet e këtyre kandidatëve nga fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Pavarësisht bërjes publike të të gjeturave të analizës së ORCA-s, pavarësisht aksionit simbolik të datës 19 korrik 2018 para Rektoratit, ku i është bërë thirrje Senatit që të mbrojë cilësinë, të njëjtit profesorë janë avancuar nga profesorë të asocuar në profesorë të rregullt”, tha Gjinovci.

ORCA  në konferencë përmendi emrat e profesorëve që Senati  ka vendosur pozitivisht për avancimin e tyre në gradë akademike.

“Në mbledhjen e datës 23 korrik 2018, Senati vendosi pozitivisht për avancimin e Ahmet Shalës, Ramë Likajt, Azem Kyçykut, Mirlind Brucit, Naser Lajqit, Nexhat Qehajës, Rexhep Selimajt dhe Xhevat Berishës, edhe pse të njëjtit kanë publikuar 5 deri 19 artikuj në revista të pretenduara shkencore gjatë periudhës 2017-2018 të cilat ndjekin praktika mashtruese të botimit”, shtoi Gjinovci.

Edhe Shkelzen Gashi nga ADMOVERE tha se edhe pse këto raste të profesorëve plagjiatorë shumë herë janë paraqitur në rektorat dhe shpalosja  e plagjiaturave në media nuk është ndërmarrë asgjë.

ORCA dhe ADMOVERE kërkesën për hetimin e plagjiaturës në Universitetin e Prishtinës tashmë ja kanë dërguar Rektoratit.

Kërkesat e tyre ishin që Rektorati të krijojë një komision me pjesëmarrje ndërkombëtare për të hetuar rastin,  t’i adresojë gjetjet e komisionit me pjesëmarrje ndërkombëtare në Këshillin e Etikës, dhe t’i rekomandojë Senatit marrjen e masave për këta profesorë sipas nenit  134 të Staturit të Universitetit  të Prishtinës.

Rron Gjinovci nuk i përjashtoi protestat në Rektorati nuk merr asnjë rast edhe pas kësaj kërkese.

ORCA DHE ADMOVERE këto çështje do të ja adresojnë Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë gjatë ditës së sotme.