Orbani pretendon të bëhet lider rajonal

Viktor Orbani pretendon të bëhet lider i vendeve lindore në Bashkimin Evropian. Në fjalimin pas rizgjedhjes në postin e kryeministrit dolën në sipërfaqe disa pretendime interesante.

Lajme

15/05/2018 16:53

Kur kryeministri i Hungarisë Viktor Orban mban një fjalim të rëndësishëm, shumë shpesh ai qëllimisht provokon. Pas zgjedhjeve të vitit 2014 p.sh. ai shpalli të përfunduar “erën e debateve politike” në Hungari dhe shpalli të hapur “fillimin e veprimit”. Verën e kaluar e quajti Komisionin Evropian në një fjalim si “inkuizicion”, ndërsa Hungarinë si “mburojë të kristianizmit” në Evropë.

Ndaj fjalimi i Orbanit të enjten e kaluar me rastin e betimit si kryeministër në Parlament u duk shumë jo ofensiv. Ai foli në stilin e një burrështetasi me përvojë. Megjithë tonet pajtuese, Orbani mbeti i ngurtë në pozicione.

Bota e bukur e Orbanit

Me fjalë pak të përgjithësuara, ai paralajmëroi dëshirën e tij që të qeverisë vendin të paktën deri në vitin 2030 – kur Hungarinë pretendon ta shndërrojë në një prej pesë vendeve me kushtet më të mira të jetesës në Bashkimin Evropian! Ai mendon se demokracia liberale ka përfunduar dhe se ka ardhur koha e një “demokracie kristiane”. Një formulë e cila mund të konsiderohet edhe si sinjal taktik në adresën e Partive Popullore (EVP), ku ka grindje serioze për largimin apo jo të partisë Fidesz të Viktor Orbanit.

Diplomatët e dëgjuan me vëmendje fjalimin e Orbanit, por nuk pati shumë gjëra të reja. Hungaria do të mbetet pjesë e aleancës perëndimore, tha Orbani. Por duke ruajtur interesat e veta në relacionin “Berlin, Moskë, Stamboll”. Dy gjërat më të rëndësishme në politikën e jashtme në fjalimin e Orbanit kanë të bëjnë me heqjen dorë nga projekti për shtetet e bashkuara të Evropës, të cilin Orbani e quan “ethe ankthi”. BE-ja duhet të veprojë si “një shoqëri e kombeve të lira”. Njëkohësisht Orbani tha se me shtetet e Karpateve duhet të kemi një bashkëpunim intensiv, me qëllim që rajoni të jetë sa më i sigurt, të zhvillohet ekonomikisht, të ketë shkëmbimin e duhur tregtar dhe një infrastrukturë sa më të mirë.

Orbani si Macron i Evropës Lindore

Orbani pretendon të pozicionohet si një kundërpeshë e presidentit francez Macron në Evropën Lindore. Ai e di që nuk ka fuqinë të prezantohet si i tillë, për shkak se Hungaria nuk e ka fuqinë ekonomike dhe politike. Prandaj po përpiqet që të krijojë një aleancë të fuqishme me vendet lindore në BE dhe ato të Ballkanit Perëndimor. Ndaj vizita e parë e Orbanit pas rizgjedhjes në postin e kryeministrit u zhvillua në Poloni. Në fundjavë Orbani ishte edhe në Slloveni. Orbani po përpiqet të mbajë raporte sa më të mira edhe me liderë të tjerë të rajonit, në Sllovaki, Rumani, Bullgari, Maqedoni dhe Serbi.

Modeli autokratik, jotransparent dhe i korruptuar i sundimit të Orbanit duket atraktiv për shumë politikanë të këtyre vendeve. Por blloku lindor rrallë është paraqitur unik në BE, si në rastin e kuotave për emigrantët. Por edhe në këtë çështje ka pasur mendime të ndryshme.

Mungesa e unitetit në Evropën Lindore

Interesat e ndryshme dhe raportet politike e bëjnë gati të pamundur një aleancë të vendeve lindore kundër Brukselit. Polonia dhe Rumania janë kundër kursit pro-rus të Viktor Orbanit. Çekia dhe Bullgaria janë të ndara në mendimet për Rusinë dhe zhvillimet në Ukrainë. Ndërsa raportet mes Hungarisë dhe Kroacisë janë të vështira, përkundër ideologjisë së përbashkët të disa partive politike.

Ndërkohë që asnjë politikan në vendet e tjera lindore nuk ka fuqi të ngjashme politike si Orbani në Hungari. Ndaj është shumë e mundur që Orbani në fund të mbetet i vetmuar në kërcënimet me veto. Ai ka paralajmëruar se do ta përdorë këtë veto edhe në çështjen e buxhetit të ardhshëm të BE. /DW