Orban: Hungaria, bastioni i fundit kundër islamizmit në Evropë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka ngritur tonet e retorikave të tij populiste para zgjedhjeve të prillit, për të pretenduar se ‘re të zymta po mblidhen mbi evropë dhe se vendi i tij është bastioni i fundit në luftën kundër islamizimit të kontinentit’.

Bota

19/02/2018 12:18

Në fjalimin e tij të përvitshëm para kombit, Orban që pritet të fitojë mandatin e tretë radhazi, përsëriti pretendimet e tij për sukses zbrapsjen e kërcënimeve nga Brukseli, Berlini dhe  Parisi për vendin e tij.

“Perëndimi ka hapur rrugën për dobësimin e kulturës kristiane dhe zgjerimin e islamizmit. Ndërsa ne ia kemi dalë mbanë të ndalojmë Botën Islamike të na gllabërojë. Ne jemi ata që mendojmë se shpresa e fundit e Evropës është krishtërimi… Nëse qindra e miliona të rinj lejohen të shkojnë drejt veriut, atëherë do të ketë presion të jashtëzakonshëm në Evropë. Nëse e gjithë kjo vazhdon, në qytetet e mëdha të evropës do të ketë një shumicë myslimane”.

Ai tha se emigracioni është në të mirë të zhvillimit të një vendi, po aq sa gripi për shëndetin e njeriut. Ai që mund të konsiderohet armiku personal i tij, financieri hungarezo-amerikan Xhorxh Soros ishte sërish në shënjestër të tij. Orban e akuzon se ka përdorur pasurinë e tij për të blerë mbështetje në Bruksel dhe perëndim, por edhe në OKB dhe për të goditur atë, ka miratuar një legjislacion që synon të dobësojë organizatat e financuara nga jashtë./Top Channel