Opozita thërret ferizajasit në protestë

Tri subjekte politike të Ferizajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, Vetëvendosja dhe Nisma, të përkrahur edhe nga një pjesë e shoqërisë civile të kësaj komune, u kanë bërë thirrje sot ferizajasve që të jenë pjesë e protestës që do të mbahet të shtunën në Prishtinë.

Lajme

15/04/2015 19:24

Përfaqësues të këtyre subjekteve, gjatë një konference për media, kanë përmendur edhe arsyet se pse do të protestohet të shtunën: Kapja dhe uzurpimi i institucioneve të shtetit,i agjencive të pavarura, si dhe kërkesat për uljen e çmimit të rrymës, shkarkimin e menaxhmentit të RTK-së etj., janë në shënjestër të protestës, thanë përfaqësuesit e këtyre subjekteve.

“Kjo protestë organizohet kundër kapjes së shtetit. Kosova e kreu fazën më të vështirë, çlirimin e vendit dhe shpalli pavarësinë, por tani është duke u përballur me një dukuri negative dhe të dëmshme për shoqërinë dhe për qytetarët. Ata që po e marrin pushtetin po i uzurpojnë dhe po i kapin të gjitha institucionet e pavarura shtetërore, që nga agjencionet e zgjedhura nga kuvendi, legjislativin, gjyqësorin, gjykatën kushtetuese e kështu me radhë”, tha Emrush Xhemajli, koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje.

Alberton Sahiti nga AAK me këtë rast ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkëngjiten kësaj proteste e cila po bëhet me moton “protesto pa dhunë”.

“Ne, si Aleancë, kërkojmë që kjo të jetë një protestë paqësore, ku nuk do të ketë dhunë. Prandaj, kërkojmë nga anëtarësia jonë dhe të gjithë qytetarët që të na bashkëngjiten në këtë protestë për zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballet çdo qytetarë. Në kuadër të kësaj, si organizatorë kemi siguruar edhe transportin për të gjithë ata që janë të interesuar që të na bashkëngjiten në këtë protestë kundër kapjes së shtetit”, theksoi Sahiti.

Edhe Halim Avdyli nga Nisma u bëri thirrje qytetarëve që t’i lënë anash dallimet partiake dhe të jenë pjesë e protestës ngase kërkesat e tyre janë të drejta.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të devotshëm, pa dallime partiake, që të shtunën të protestojnë dinjitetshëm kundër kapjes së shtetit, kundër shtrenjtimit të faturave elektrike, duke ditur se jemi populli më i varfër në Evropë dhe i paguajmë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike, kur dihet se për qytetarin e thjeshtë është bërë shumë vështirë të punësohet. Besojmë se qytetari i Kosovës ka arsye të shumta që të protestojë, prandaj ejani e bëhuni pjesë e kësaj proteste” tha Halim Avdyli.