Opozita në Kuvend, është ndër më të fortat që ka pasur Kosova

Analistët konsiderojnë se opozita në Kuvendin e Kosovës është ndër më të fortat që ka pasur Kosova, njëkohësisht e dëshiruar prej kohësh. Përveç që do ta mbajë në kontroll të vazhdueshëm qeverinë, opozita do të imponojë transparencën në secilën çështje, thonë ata.

Lajme

14/09/2017 09:07

LDK e Vetëvendosje nuk kanë qenë asnjëherë partnerë të qëndrueshëm në ndonjë koalicion, qoftë të qeverisë apo në opozitë. Megjithatë, analistët e shohin opozitën e sotme si mjaft të fortë dhe të përgatitur profesionalisht. Politologu Ramush Tahiri jep këto argumente.

Ramush Tahiri tha se LDK dhe Vetëvendosje, pa marrë parasysh a është e bashkuar apo jo, njëherë ajo është e përgatitur profesionalisht sepse di t’i trajtojë temat.

“E dyta është e fortë edhe nën ndikimin  e vet politik, dhe e treta- nëse bëhen bashkë gjithmonë i sigurojnë 40 votat e nevojshme që të fusin mocion mosbesimi ndaj qeverisë”, tha ai.

Politologu Tahiri thotë se këtë opozitë Kosova e ka dëshiruar që moti. Si e tillë, ajo do të mund ta mbajë nën kontroll të vazhdueshëm qeverinë dhe t’ua imponojë transparencën në secilën çështje, thotë Tahiri.  Ndërsa analisti Albert Krasniqi thotë se nëse opozita shfrytëzon gjithë potencialin e saj, ajo do të kontrollojë edhe punën e parlamentit.

Kurse Albert Krasniqi tha se khëve të fundit po duket që është një far përafrimi, dhe nëse e shfrytëzojnë të gjithë potencialin që e kanë atëherë mund të luajnë një rol të një opozite konstruktive, në mënyrë që ta mbikëqyrin punën e qeverisë dhe për ta kontrolluar madje edhe punën e parlamentit, për shkak se kanë edhe kualitet më të mirë kësaj herë në mesin e deputetëve, por edhe numerikisht janë më të mëdha.

E analisti Rrahman Paçarizi, beson se opozita në planin politik do të zhvillojë luftë të ashpër dhe të pa kompromis, derisa për temat nacionale ajo do të jetë e arsyeshme.

“Unë besoj se në planin nacional as LDK dhe as VV nuk janë të gatshme të bëjnë obstruksione ndaj Kosovës, rrjedhimisht as ndaj Qeverisë së Kosovës, sepse kemi të bëjmë me interesa nacionale, mirëpo lufta në planin politik do të jetë një luftë e ashpër dhe e pa-kompromis”, tha ai.

Sidoqoftë opozita nuk e ka përjashtuar mundësinë e kundërshtimit të çështjeve që prekin interesin e shtetit./RTK