Opozita me plane kundër operatorit serb në Kosovë

Opozita do të përdorë të gjitha mundësitë ligjore dhe ato jashtë institucionale për të parandaluar futjen e operatorit të tretë mobil që vjen nga Serbia.

Lajme

06/05/2015 19:08

Përfaqësues të partive opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që zbatimi i marrëveshjeve të bëhet në favor të zhvillimit ekonomik të Kosovë dhe jo të ndodhë e kundërta. Në këtë rast, ata shohin që është e cenuar edhe siguria territoriale e vendit. Derisa pozita nuk ka dashur të deklarohen për këtë çështje.

Këto reagime kanë ardhur pas aplikim të operatorit mobil norvegjezë me seli në Beograd “Telenor D.O.O”, në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) për operatorin e tretë mobil në Kosovë.

Pal Lekaj, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe anëtar i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, ka thënë për KosovaPress se pala kosovare po e tregon inferioritetin e saj në marrëveshje me Serbinë dhe kjo, sipas tij, nuk duhet të ndodh.

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë për KosovaPress se janë kundër operatorit të tretë mobil serbë në Kosovë. Ai ka thënë se do të pengojnë futjen e këtij operatori në vend.

Po ashtu, edhe Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, ka thënë se shumë shpejtë do t’i bëjnë publike hapat që do t’i marr Nisma.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), në muajin mars ka hapur shprehjen e interesit për dhënien në shfrytëzim të brezit të ri frekuencorë, ku nuk ka aplikuar operatori mobil Telenor me seli në Norvegji, por ka aplikuar dega e tij në Beograd.