Opozita kërkon që zgjedhjet e Serbisë të mos organizohen në Kosovë

Përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare kërkojnë që Kosova të mos lejoj organizimin e zgjedhje presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës. Kurse, Qeveria e vendit ende nuk ka qëndrim për këtë çështje.

Lajme

19/03/2017 13:43

Në fillim të muajit prill mbahen zgjedhjet presidenciale në Republikën e Serbisë, por ende nuk dihet në ato do të organizohen edhe në territorin e Kosovës, siç ka ndodhur vazhdimisht deri më tani.

Bajram Gecaj, këshilltar i Kryeministrit të vendit ka thënë për lajmi.net se ekzekutivi i vendit nuk ka marrë ndonjë qëndrim sa i përket organizimit të zgjedhje presidenciale të Serbisë në Territorin e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ende nuk ka qëndrim për këtë çështje”, ka thënë Gecaj.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi ka thënë për lajmi.net se nëse Kosova e konsideron vetën shtet sovran, nuk duhet të lejoj mbajtjen e zgjedhje presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës. Madje, ai ka marr si shembull Holandën dhe Gjermaninë, të cilat nuk lejuan zyrtarët turq që të mbajnë tubime me qytetarët turq në ato dy shtete.

“Nëse e konsiderojmë veten vend sovran dhe demokratik, që pak a shumë i kemi model vendet perëndimore e kemi parë që Holanda si shtet demokratik edhe vendet tjera si Gjermania nuk kanë lejuar çfarëdo fushate të një vendi tjetër, por së fundi u ndalua edhe fushata e Turqisë për atë referendumin që do të mbahet në shtetin turk. Me këtë veprim këto shtete kanë treguar se atje kanë Zot shpie. Këtu te ne nuk a Zot shpie dhe shteti ka mbet në dorën e askujt, vijnë e bëjnë fushata jo vetëm zgjedhore, por edhe fushata kundër Kosovës ose për shkatërrimin e Kosovës”, ka deklaruar Kurteshi.

Për më tepër, sipas Kurteshit në Kosovë nuk duhet të lejohet të mbajnë tubime zyrtarët e një shteti siç është Serbia, e që sipas tij ende ka qëndrime armiqësore ndaj Kosovës

“Kjo çështje nuk do të duhej as të diskutohej. Politikanët serbë nuk duhet të lejohen të bëjnë fushata në territorin  Kosovës, pasi Serbia ende është armiqësore ndaj Kosovës. Për ta parë se a është mirë me u lejua. Duhet ta provojmë që kur të mbahen zgjedhjet e Kosovës, ne të dalin në Luginën e Preshevës dhe ta shohim se apo lejohemi”, ka shtuar Kurteshi.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka thënë se nuk duhet të lejohet organizimi i zgjedhje serbe në territorin e Kosovës.

“Është  momenti i fundit që institucionet e Kosovës të tregojnë vendosmëri sa i përket dëshmimit të shtetësisë së Kosovës. Nuk është e drejtë që të territorin e Kosovës zgjedhjet e shtetit të Serbisë. Përndryshe kjo është ndërhyrje direkte në sovranitetin e Kosovës. Deri sot nuk kanë treguar vendosmëri institucionet e Kosovës. Kosova vet po e lejon Serbinë që të ndikoj të qytetarët e Kosovës, pra të komuniteti serb”, ka theksuar Haxhiu.

Përndryshe kandidatët për president të Serbisë kanë paralajmëruar organizimin e takimeve me qytetarë edhe në territorin Kosovës./Lajmi.net/