Opozita kërkon hetime për 53-milionëshin e “Bechtel Enka”-s

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka arsyetuar vendimin e Qeverisë për ndarjen e 53 milionë eurove në formë penaltie për kompaninë “Bechtel Enka” duke argumentuar se kanë arritur që shumën e kërkuar nga kompania nga 63 milionë euro ta zvogëlojnë në 45 milionë euro, që i bie 53 milionë euro me TVSH-në. Lekaj ka bërë publike edhe letërkëmbimet që kompania “Bechtel Enka” vazhdimisht ia ka drejtuar Qeverisë për mosalokim të mjeteve buxhetore.

Lajme

09/06/2018 08:50

53 milionë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës për kompaninë “Bechtel Enka” ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj pretendon se ka qenë i detyruar t’i ndajë si pasojë e papërgjegjësisë së ish-ministrit Lutfi Zharkut në pagesat ndaj kompanisë. Madje, ministri që aktualisht drejton dikasterin e Infrastrukturës ia ka drejtuar gishtin Zharkut se nuk e ka kryer pagesën e caktuar ndaj kompanisë duke financuar mbi 100 projekte kapitale për fushata elektorale në vlerën e 83 milionëve eurove.

“Zharku ka deklaruar se kemi marrëveshje me ‘Bechtel Enka’-n, por unë në asnjë dokument nuk kam gjetur një marrëveshje të tillë. Ministria e Infrastrukturës po kursen 5. 5 milionë euro në muaj për të zgjatur kohën e kontratës prej 31 dhjetorit 2018. ‘Bechtel Enka’ kërkonte kompensim vetëm për shpenzimet e shkaktuara. Ministria është duke ulur ekspozimin financiar dhe shpenzimet e Qeverisë. Ka qenë e mundshme të zgjidhet kjo çështje nëse veprimet do të merreshin me kohë”, është shprehur ai.

Lekaj tutje ka shtuar se me këtë vendim buxheti i shtetit kursehet 5.5 milionë euro në muaj. “Për shmangien e rrezikut të shuarjes së kontratës një ndryshim është nënshkruar nga ‘Bechtel Enka’ dhe nga Ministria e Infrastrukturës. Ne kemi bërë vetëm zgjatjen e kontratës. Merrni shembullin e Kroacisë dhe të Rumanisë me ‘Bechtel Enka’-n dhe e shohim me kë kemi të bëjmë. Ish-ministri nuk ka qenë në gjendje të merret me këtë gjendje të shkaktuar nga ai vetë.

Me ato 53 milionë euro i kishim kryer shumë projekte tjera. Me një papërgjegjësi të ish-ministrit duke e ditur se kontrata është ligj kemi ardhur këtu ku jemi”, ka përfunduar tutje Lekaj. Ministri Lekaj ka bërë publike shifrat zyrtare të shumave buxhetore të cilat kanë sjellë borxhin e grumbulluar prej mbi 200 milionë eurosh.

“Në vitin 2015 janë ndarë 90 milionë euro, 220 milionë euro më pak. Mjetet janë destinuar për projekte të reja. Nuk e di si thirret ky menaxhim përveç papërgjegjësi. Në vitin 2016 227 milionë euro janë grumbulluar borxh. 111 projekte të reja elektorale rreth 81 milionë euro. Në vitin 2017 janë bërë 127 projekte të reja”, ka sqaruar mes tjerash ai.

Por nuk janë shmangur as letrat që “Bechtel Enka” i ka dërguar në sajë të ankesave për mosalokim të mjeteve. Në lidhje me koston prej 14.7 milionë eurosh, që ish-ministri thotë se është dashur të paguhet, Lekaj tha se kjo shumë nuk përfshinte zgjatjen e punimeve deri më 31 dhjetor të këtij viti. Me marrëveshjen e arritur për pagesën prej 53 milionë eurosh Lekaj thotë se nuk do të ketë më kërkesa shtesë nga kompania, e cila ka mundur të kërkonte shumë më të lartë. Pagesat ndaj kompanisë do të kryhen deri në qershor të vitit të ardhshëm, por Lekaj bëri të ditur se Ministria ende nuk e ka buxhetin për t’i kryer pagesat, pasi gjatë ardhjes së mandatit të tij janë gjetur vetëm 180 milionë euro.

Lekaj ka premtuar se dokumentacioni do të jetë në dispozicion për mediet e interesuara nga e hëna.

Hoti: 53 milionë euro, plaçkitje moderne e buxhetit të shtetit

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hoti, ka thënë gjatë ditës së djeshme se qeveria “Haradinaj” po e keqpërdor buxhetin shtetëror duke shpenzuar paratë publike në vende jo të duhura. “Ndarja e 53 milionë eurove ‘Bechtel Enka’-s është abuzim i parasë publike siç ka qenë abuzim edhe falja e 60 milionë eurove borxhe të ndryshme, rritja e pagave për kabinetin qeveritar ose shpenzimet që bëhen për 70 zëvendësministra. Kjo është plaçkë moderne institucionale e shpenzimit të parasë publike”, ka thënë Hoti. Ndërsa duke folur për këtë vendim, Hoti ka thënë edhe se kryeministri Haradinaj, edhe ministrat e kabinetit të tij që votojnë vendimet e Haradinajt nuk mund ta mbulojnë veten, por do të japin përgjegjësi para qytetarëve.
Hoti në konferencë javore të kësaj partie ka përsëritur edhe qëndrimin e kësaj partie sa i përket platformës së dialogut me Serbinë, me ç’rast  ka thënë se janë duke pritur që të ketë ndryshime në platformën e re që do të sillet në Kuvend.
“LDK-ja është parti opozitare dhe ne jemi partia e parë që e kemi mbështetur dialogun, por jemi opozitarë. Lidhur me këtë platformë ajo nuk e ka mbështetjen tonë, do të presim çfarë do të ndodhë me platformën tjetër”, ka thënë Hoti.

Ai mes tjerash ka shprehur edhe shqetësimet e tij lidhur me draftstatusin e “Trepçës”.

“Rritja e rreziqeve fiskale dhe paqëndrueshmëria e financave publike do të ketë pasoja në vitet e ardhshme dhe do t’i dëmtojë qytetarët, ndërkaq mungesa e reformave në sektorin provat do ta rrisë papunësinë”, ka thënë ai.
Hoti ka kritikuar edhe presidentin Thaçi duke thënë që ai është duke e bllokuar funksionalizim e KQZ-së me mosdekretimin e anëtarëve të propozuar nga grupet parlamentare.