Opozita i vlerëson si tinzare deklaratat e kryeministrit

Protesta e së shtunës dhe kërkesat e drejtuara ndaj tij, kanë aktivizuar dukshëm shefin e Ekzekutivit, Isa Mustafa. Kryeministri, ka zgjedhur llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” për ta shprehur qëndrimin e tij dhe të Qeverisë që drejton.

Lajme

25/01/2015 19:17

Mustafa, u ka thënë qytetarëve të mos frikësohen nga fjalët e Serbisë, por nga ata që, sipas tij, manipulojnë emocionet e qytetarëve.

“Ata, që kishin merak ta çonin ‘Trepçën’ në likuidim, për t’i zhdukur të gjitha gjurmët e vjedhjeve, kontrabandës, keqpërdorimeve dhe manipulimeve, tashti e quajnë të shantazhuar Qeverinë, e cila së bashku me shumicën e deputetëve të Kuvendit e ka shpëtuar në momentin e fundit nga falimentimi dhe nga mbetja pa punë e më shumë se 5 mijë punëtorëve”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, s’ka nevojë të thërrasim se “Trepça është jona!”, kur ajo është në territorin e Kosovës, siç janë të gjitha pronat e tjera. Ai i ka quajtur dyfytyrësi veprimet e partive opozitare.

“Listën Serbe nuk ua solla unë, por, atë e solli veriu, votat e qytetarëve serbë dhe në fund, e solli dialogu”, ka shkruar Mustafa.

Por, deklaratat e shefit të Ekzekutivit, për opozitën janë mashtruese, tinëzare e që ia kanë humbur kuptimin dhe rolin Mustafës si kryeministër.

Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë për KTV se kreu i Qeverisë, ka kamufluar nenet dhe ka dërguar një projektligj në mënyrë tinëzare, për çfarë edhe njihet në karrierën e tij politike.

Opozita, ka reaguar edhe ndaj deklaratave të Mustafës, për Jabllanoviqin, për të cilin kreu i Qeverisë ka thënë se, atë nuk e kishte sjell ai.

Përfaqësuesit e opozitës, kanë konfirmuar se do të marrin pjesë edhe në protestën e së martës, nëse nuk përmbushen kërkesat që u bënë të ditura në protestën e së shtunës, raporton KTV.