Opozita i kthehet institucioneve, kur është puna për udhëtime jashtë vendit (Foto)

Deputetët e partive opozitare, VV-AAK-Nisma, po bojkotojnë punën e tyre në Kuvend dhe në komisionet parlamentare, duke tentuar edhe bllokimin e punës në këtë institucion. Por kur bëhet fjalë për udhëtime zyrtare jashtë vendit, nga ku edhe u dalin mëditje ditore mbi 100 euro, këta deputetë kanë qëndrim tjetër.

Lajme

27/01/2016 10:23

Deputetët, Time Kadriaj nga AAK, Valdete Bajrami nga Nisma, dhe Ilir Deda nga VV, kanë pranuar të mos e bojkotojnë punën e Komisionit për Integrime Evropiane, kur janë ftuar që të jenë pjesë e një delegacioni për një vizitë zyrtare në Bruksel, edhe pse mbledhjet e këtij komisioni në Prishtinë ata i bojkotojnë, përjashto këtu deputetin Deda të VV-së, i cili në mbledhjen e fundit të këtij komisioni ku raportoi ministri i Integrimeve Bekim Çollaku ishte prezent, shkruan lajmi.net.

Një delegacion i Komisionit për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga deputetë të pozitës dhe opozitës, po qëndron në Bruksel, ku po zhvillon takime zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Ata dje kanë takuar komisionerin për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, dhe sot eurodeputeten Ulrike Lunacek.

Kjo vizitë e përbashkët në Bruksel e deputetëve të pozitës dhe opozitës, të cilët në Kosovë kanë ndarje të thella, duket t’u ketë bërë përshtypje edhe zyrtarëve evropianë.

Vetë komisioneri Hahn në postimin e tij në Twitter të këtij takimi, e ka përmendur fjalën “konstruktiv”, duke pasur parasysh fushatën destruktive të opozitës në Kuvend dhe jashtë tij.

“Takim konstruktiv me Komisionin për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Hahn në postimin e tij të cilit i ka bashkangjitur edhe foto të bërë pas takimit.

Ndërsa, eurodeputetja Ulrike Lunacek vërehet të ketë shprehur entuziazëm që ka arritur t’i bëjë bashkë deputetët opozitarë me ata të pozitës.

Ajo në Twitter ka shkruar se “Me iniciativën time, Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës po viziton Brukselin”. /lajmi.net